Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka nënshkruar në Zagreb dy marrëveshje bashkëpunimi, një me Arkivat Shtetërore të Kroacisë dhe tjetrën me Qendrën Kroate Memoriale-Dokumentuese të Luftës Atdhetare.
Sipas IKKL-së, marrëveshjet kanë rëndësi për qasjen në dokumentacionin që ruhet në Kroaci, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për hulumtime të përbashkëta.
Bashkëpunimi ka filluar tashmë në praktikë, me zyrtarë të IKKL-së që këtë javë po ndjekin trajnim profesional në Arkivat Shtetërore të Kroacisë.
Gjatë vizitës, drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, prezantoi punën e deritanishme të institutit dhe diskutoi me përfaqësuesit e institucioneve kroate për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit.
Me këto dy marrëveshje, Kroacia i shtohet Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës e Hercegovinës, ku IKKL tashmë ka vendosur bashkëpunim me institucione shtetërore.
IKKL ka bërë të ditur se dokumentacioni për luftën në Kosovë gjendet në shumë arkiva, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa bashkëpunimi me këto institucione është pjesë e punës së institutit.






