Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq Radman tha se anija “Jadran” nuk është e vetmja pasuri që Kroacia kërkon nga Mali i Zi.
Sipas tij, Zagrebi disponon dokumente që tregojnë se bëhet fjalë për pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro.
Grliq Radman i bëri deklaratat gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Przhno, ndërsa më pas mori pjesë në vendosjen e kurorave pranë pllakës përkujtimore kushtuar të burgosurve kroatë në ish-kampin e Morinjit.
Ai tha se Kroacia disponon harta interaktive dhe dokumente që, sipas tij, tregojnë gjendjen e pasurisë ushtarake më 31 maj 1990 dhe një vit më vonë, shkruan index.hr.
“Në atë kohë kishim rreth 207 mjete lundruese në Kroaci dhe rreth 30 në Mal të Zi, ndërsa një vit më vonë situata ishte e kundërt – 207 në Mal të Zi dhe rreth 30 në Kroaci”, tha ministri kroat.
Sipas tij, bëhet fjalë edhe për anije ushtarake, nëndetëse dhe një spital ushtarak. Ai pretendon se një pjesë e kësaj pasurie është zhdukur ose është transferuar dhe se Kroacia i ka të dokumentuara këto raste.
“Ne i kemi të gjitha të regjistruara dhe bëhet fjalë për pasuri me vlerë mbi 2.4 miliardë euro”, deklaroi Grliq Radman.
Ministri kroat foli edhe për çështjen e kthimit të pronave të konfiskuara të kroatëve në Mal të Zi. Ai tha se Kroacia do të insistojë në trajtimin e kësaj çështjeje në kuadër të kapitullit 23 të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimoviq, tha se Mali i Zi është i gatshëm të përballet me të kaluarën dhe të ndërtojë një shoqëri të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë. /Telegrafi/






