Biljana Pllavshiq, politikane e serbëve të Bosnjës gjatë luftës në vitet 1990, ishte biologe me profesion. Dhe gruaja e vetme që u dënua nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Mizoritë i pranoi, por pastaj e mohoi fajin. Kur banda paramilitare e Arkanit masakroi dhjetëra njerëz në Bosnjën lindore, mes tyre edhe shqiptarin Hajrush Ziberi, Pllavshiq vrapoi për ta përqafuar Arkanin. Ajo vdiq të enjten në Beograd në moshën 96-vjeçare.Biljana Pllavshiq, ish-presidente e entitetit serb të Bosnjës, të quajtur “Republika Srpska”, dhe njëra nga figurat më mizore të skenës politike serbe në vitet 1990-të, vdiq të enjten në Beograd në moshën 96-vjeçare.
Kështu njoftuan mediat serbe.Pllavshiq është një shembull i neveritshëm se si edhe njerëzit me arsimim brilant mund të shndërrohen në gjakatarë. E lindur në vitin 1930 në Tuzëll, në verilindje të Bosnjës, ajo ndoqi udhën e të atit dhe u bë biologe. Studioi në Universitetin e Zagrebit, pastaj me një bursë Fulbright qëndroi për specializim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Jugosllavinë socialiste, pjesë e së cilës ishte republika shumëetnike e Bosnjë-Hercegovinës, Pllavshiq përparoi shpejt në karrierë, duke u bërë profesoreshë në Universitetin e Sarajevës.
Në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë nuk u anëtarësua kurrë, ndërsa në një portret të Radios Europa e Lirë nga viti 1997 theksohet se Pllavshiq mund të ketë përqafuar agjendën nacionaliste serbe gjatë qëndrimit në SHBA, ku besohet se vendosi kontakte me qarqe nacionaliste serbe në emigracion.
Në politikë u kyç me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Ishte anëtare themeluese e Partisë Demokratike Serbe (SDS), të drejtuar nga Radovan Karaxhiqi. Deklaratat e saj kundër bashkëjetesës dhe eksplicit kundër etnive të tjera e bëjnë të ngjashme me propagandistët nazistë. Ashtu siç flisnin ata kundër hebrenjve, Pllavshiq çirrej kundër boshnjakëve (myslimanëve). Më 1993 ajo i tha revistës “Svet”: “Myslimanët rrjedhin nga serbët, por ata (myslimanët) janë material gjenetikisht i prishur serb që kaloi në islam. Dhe tani, natyrisht, nga brezi në brez ky gjen thjesht kondensohet. Bëhet gjithnjë e më i keq, shprehet thjesht, dikton një mënyrë të tillë mendimi dhe sjelljeje. Kjo është e ngulitur tashmë në gjene”.
Pasi u largua nga kryesia e Republikës Socialiste të Bosnjë-Hercegovinës, ku përfaqësonte popullatën serbe, Pllavshiq ushtroi funksionin e nënkryetares së të ashtuquajturës “Republika Srpska” dhe ishte bashkëpunëtore e ngushtë e kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq e Momçillo Krajishnik. Ajo ishte padyshim gruaja më e tmerrshme e ultranacionalizimit serb dhe luftërave të tij kundër popujve të tjerë të Ballkanit. Në betejën për Serbinë e Madhe ishte e gatshme të paguante çdo çmim – për aq kohë sa bëhej fjalë për jetën e të tjerëve. Citohet të ketë thënë: “Janë 12 milionë serbë, le të vdesin gjashtë milionë. Gjysma tjetër prapë do të gëzojë frytet e punës dhe të luftës”.
Në prill të vitit 1992, Pllavshiq vizitoi qytetin e Bijelinës, në kufi me Serbinë, pak ditë pasi njësitë paraushtarake të Zhelko Razhnjatoviq (Arkanit) masakruan rreth 50 civilë, mes tyre edhe shqiptarë që punonin në Bosnjë. Ndërsa kufomat ende ishin të shtrira në rrugë, Pllavshiq iu hodh në përqafim, e përgëzoi dhe e puthi Arkanin. Ajo më pas u tha gazetarëve: “Unë puth vetëm heronjtë”.
Ndër viktimat e para të agresionit serb në Bosnjën lindore kanë qenë shqiptarët. Njerëz punëtorë që kishin furra buke, byrektore, dyqane, lokale të vogla akulloresh. Një nga viktimat ishte Hajrush Ziberi nga rrethina e Shkupit. Fotografi Ron Haviv ka arritur ta fotografojë Hajrushin pak para se të vritej nga paramilitarët serbë. Viktima çon duart lart dhe lutet për mëshirë. Në një fotografi tjetër dy paramilitarë serbë i hedhin benzinë Hajrushit mbi kokë. Ai ishte vetëm 24 vjeç kur u vra. Punonte kamerier në Bijelinë.
Në lidhje me këto vrasje në Bijelinë, portali kroat Index citon shkrimtaren dhe gazetaren Sllavenka Drakuliq, e cila ka shkruar: “Ju kujtohet Biljana Pllavshiqi gjatë vizitës në Bijelinë në fillim të pranverës së vitit 1992? Ishte atje pikërisht pasi krimineli i luftës Zhelko Razhnjatoviq (Arkani) kishte ‘çliruar’ këtë qytet boshnjak nga boshnjakët, për çka zonja e përgëzoi. E veshur elegante si zakonisht, me flokë të rregulluara dhe taka të larta, ajo e përqafoi dhe e puthi me përzemërsi, ndërkohë që rreth saj në trotuar shtriheshin njerëz të sapovrarë, mbi të cilët duhej të kapërcente për të arritur tek ai”. Fjalë të zgjedhura Pllavshiq kishte edhe për Ratko Mlladiqin, të cilin e lavdëronte si “njeri të mirë” dhe “ushtar të klasit të parë”.
Pas përfundimit të luftës në Bosnjë dhe me ngritjen e aktakuzës për krime kundër Radovan Karaxhiqit nga Tribunali i Hagës, Pllavshiq e trashëgoi atë në postin e kryetares së “Republika Srpskas”. Karaxhiq u strehua në Serbi deri më 2008, kur u arrestua nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Fillimisht Pllavshiq u tregua bashkëpunuese me SHBA-të dhe Bashkimin Europian.
Në vitin 2001 ajo u dorëzua në Tribunalin e Hagës, pasi kundër saj u ngrit aktakuzë. Në fund të shkurtit 2003, Pllavshiq u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg për krime kundër njerëzimit. Ajo u shpall fajtore për rolin e saj në krimet e luftës të kryera ndaj boshnjakëve dhe kroatëve. Gjykatësi Richard May theksoi se ajo kishte planifikuar, nxitur dhe urdhëruar “spastrimet etnike”.
Pllavshiq mori një dënim relativisht të lehtë për shkak se gjatë procesit kundër saj pranoi fajësinë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit. Në të kundërtën, prokuroria hoqi dorë nga akuza për gjenocid. Pllavshiqit ia lehtësuan rastin edhe ish-ministrja e Jashtme amerikane, Madeleine Albright, dhe ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjë-Hercegovinën, Carl Bildt. Si dëshmitarë, të dy lavdëruan rolin e Pllavshiqit në zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit menjëherë pas luftës. Atëbotë Pllavshiq e propozoi një politikan të ri si kryeministër të “Republika Srpskas”. Quhej Millorad Dodik, thoshte se është socialdemokrat, ishte kritik ndaj Karaxhiqit e Mlladiqit, deklaronte se në Srebrenicë është kryer gjenocid nga forcat serbe. Kjo kohë duket shumë e largët. Dodik ndërkohë është shndërruar në mohues të krimeve serbe të luftës dhe lavdërues notorik të Karaxhiqit e Mlladiqit.
Pllavshiq e vuajti dënimin në burgun e grave Hinseberg në Suedi dhe, pasi vuajti dy të tretat e tij, u lirua në tetor të vitit 2009. Pak para se të dilte nga burgu, ajo i tha një gazete suedeze: “Unë flijova veten time. Nuk kam bërë asgjë të keqe”. Pas kthimit në Beograd e hoqi krejtësisht maskën dhe tha se pranimi i fajësisë kishte qenë vetëm një lëvizje taktike për të shmangur një proces më të gjatë dhe një dënim më të rëndë.
Në Aeroportin e Beogradit biologen brutale e priti Millorad Dodiku. Atëbotë gazetarja e njohur serbe Tamara Skrozza shkroi si vijon në revistën “Vreme”: “E shoqëruar nga Millorad Dodiku, Biljana Pllavshiqi në orët e pasdites të 27 tetorit shkoi nga aeroporti në banesën e saj në rrugën ‘Kataniçeva’ në Vraçar (lagje e Beogradit). Ish-presidentja ishte elegante, e mirësjellshme dhe e buzëqeshur. Opinioni publik u informua me kohë se farefisi do t’i përgatisë një ushqim vegjetarian dhe tatli, ndërsa shërbimi i parkimit u kujdes që në rrugën ‘Kataniçeva’ të mos e pengojnë automjetet e parkuara në rrugë. Varret e Bosnjës, gratë e dhunuara, gërmadhat e Sarajevës, njerëzit e zhvendosur e të shkatërruar nga lufta, janë larg Vraçarit, larg Biljana Pllavshiqit, larg të gjithë atyre që e pritën dhe që u gëzuan për të. Jeta, pra, vazhdon. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.
Të enjten Dodik ishte ndër politikanët e parë të serbëve të Bosnjës që shprehu dhimbje e ngushëllime për vdekjen e krimineles së luftës Pllavshiq. Ajo, tha Dodik, meriton të gjitha nderimet e “Republika Srpskas”. Pas Ratko Mlladiqit, të cilin e nderuan mijëra serbë gjatë varrimit, tani pritet edhe një orgji e re nacionaliste e “botës serbe”.






