Zëvendëskryeministri për politikën ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, tha se në mbledhjen e Qeverisë ka votuar për “Modelin Euro”, të prezantuar nga kryeministri Milojko Spajiq, i cili parashikon rritjen e pagës minimale nga 1000 në 1400 euro nga janari i vitit 2027.
Gjeloshaj beson se “Modeli Euro” do të ndikojë në rritjen e ekonomisë dhe do të shërbejë si stimul për zhvillimin e saj.
“Besoj se ekonomia dhe sektori privat kanë dilema, por mendoj se do t’i zgjidhim ato në periudhën e ardhshme. Jam edhe vetë biznesmen dhe kam kompaninë time. Kam llogaritur se vitin e ardhshëm do të ndaj 45 mijë euro më shumë nga fitimi për punëtorët e mi. Këtë e shoh si investim në kompani dhe në njerëz”, tha ai.
Sipas tij, në shifra, “Modeli Euro” do të sjellë nga 700 milionë deri në një miliard euro shtesë në treg, të cilat pritet të qarkullojnë në tregti, prodhim dhe turizëm, shkruan vijesti.me.
“Nuk duhet të kemi frikë nga idetë e reja. Besoj se ‘Modeli Euro’ është investim. Votova për standard më të lartë të qytetarëve, pavarësisht faktit se biznesmenët do të kenë kosto më të larta”, theksoi Gjeloshaj.
Ai tha gjithashtu se duhet të rritet mbështetja e pakthyeshme për bizneset, në mënyrë që kompanitë të kenë mundësi të zgjerojnë aktivitetin dhe prodhimin.
Duke folur për të ardhmen e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Gjeloshaj tha se pas tij qëndron shteti dhe se buxheti përbën garancinë kryesore për stabilitetin e fondit. /Telegrafi/






