Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka paralajmëruar ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila zhvillohet të enjten në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për media të mbajtur në Debrecen të Hungarisë, Foda tha se do të ketë ndryshime nga ndeshja e fundit ndaj Austrisë, ndërsa theksoi se Kosova do të tentojë të paraqitet në nivelin që tregoi në fitoren ndaj Irlandës.
“Është një nga ndeshjet që do të bëjë ndryshime nga ndeshja paraprake. Do të provojmë të luajmë njëjtë si ndaj Irlandës. As ndaj Austrisë nuk jemi paraqitur shumë keq. Por e rëndësishme është të shfaqim lojën që kemi treguar ndaj Irlandës”, ka deklaruar Foda.
Foda: Izraeli është ekip i mirë, pres ndeshje të fortë telegrafi.com
Ai u pyet edhe për gjendjen e portierit Aro Muric, i cili kishte pësuar lëndim në ndeshjen e fundit ndaj Austrisë dhe nuk ishte i gatshëm për stërvitje të plota.
“Ai ka pësuar një lëndim në ndeshjen ndaj Austrisë. Ka munguar, por do të shohim sonte nëse do të jetë gati për nesër apo jo”, tha Foda.
Kosova e nisi këtë kampanjë me fitore 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa në ndeshjen e dytë pësoi 3-1 nga Austria në Vjenë.
Tash Dardanët synojnë rikthimin te fitorja ndaj Izraelit, në ndeshjen që zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në Debrecen. /Telegrafi/






