Kroacia ka realizuar të ardhura rekord prej 4.5 miliardë eurosh nga turistët e huaj gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, bëri të ditur Ministria e Turizmit dhe Sportit, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Kombëtare Kroate.
Vetëm në tremujorin e dytë të vitit, të ardhurat nga turistët e huaj arritën në 3.6 miliardë euro, që është 4 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në gjysmën e parë të vitit, të ardhurat ishin 5 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 212.4 milionë euro më shumë, raporton index.hr.
Rezultateve pozitive të sezonit turistik u ka kontribuar edhe rritja e ndjeshme e turizmit vendas.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, Kroacia regjistroi 1.5 milionë ardhje dhe 4.2 milionë net-qëndrime të turistëve vendas. Krahasuar me një vit më parë, numri i ardhjeve u rrit me 7 për qind, ndërsa net-qëndrimet me 6 për qind.
Ministri kroat i Turizmit dhe Sportit, Tonçi Glavina, tha se rezultatet e mira gjatë periudhës para sezonit janë rezultat i aktiviteteve strategjike dhe promovuese të përshtatura me ndryshimet në treg.
Sipas tij, krahasuar me vitin 2016, të ardhurat nga turistët e huaj janë rritur për 120 për qind, si në tremujorin e dytë, ashtu edhe në gjysmën e parë të vitit. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Kroacia ka realizuar 2.5 miliardë euro më shumë të ardhura nga turistët e huaj sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2016. /Telegrafi/






