Një sulm i rëndë në një shkollë në veriperëndim të Sllovakisë ka përfunduar me një viktimë dhe dy persona të plagosur, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Sipas shërbimeve të emergjencës, një nxënës dyshohet se sulmoi me një objekt të mprehtë persona brenda shkollës në qytetin Staškov, në distriktin e Čadcës.
Një grua 61-vjeçare, e cila ishte mësuese, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Dy persona të tjerë, një fëmijë dhe një grua, u plagosën dhe u transportuan me urgjencë në spital.
Fëmija ndodhet në gjendje kritike, ndërsa gruaja 44-vjeçare kishte një plagë në gjoks dhe u dërgua për trajtim në spital, transmeton Telegrafi.
Në vendngjarje u mobilizuan dy ambulanca tokësore dhe dy helikopterë të shpëtimit. Policia tha se situata është nën kontroll dhe se nuk ka më rrezik të menjëhershëm për publikun.
Motivi i sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota për autorin apo për mënyrën se si ndodhi sulmi. /Telegrafi/






