Franca ka regjistruar fitoren e dytë në grup, pasi ka mposhtur Belgjikën si mysafire me rezultat 1-0, duke marrë kështu edhe kryesimin e grupit.
Ndeshja ishte e luftuar dhe Belgjika pati disa momente të rrezikshme, por Franca krijoi rastet më të mira. Desiré Doue ishte ndër më aktivët në pjesën e parë, duke goditur edhe traversën në minutën e 12-të, ndërsa më vonë provoi sërish me një goditje të rrezikshme, por portieri belg Senne Lammens reagoi mirë.

Edhe në pjesën e dytë Franca ishte më kërkuese. Doue rrezikoi disa herë, ndërsa Belgjika pati mundësi të mirë përmes Dodi Lukebakios, por Mike Maignan bëri një pritje të shkëlqyer në minutën e 73-të.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Franca e gjeti golin e fitores. Në minutën e 88-të, Michael Olise mori topin në hyrje të zonës, kaloi kundërshtarët dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në këndin e poshtëm, duke i dhënë epërsinë Francës.
Belgjika nuk pati kohë për të reaguar dhe Franca e ruajti avantazhin deri në fund. Me këtë fitore, skuadra franceze shkon në 6 pikë pas dy ndeshjeve dhe merr kryesimin e grupit, ndërsa Belgjika mbetet me 3 pikë.
Pas fitores ndaj Turqisë në ndeshjen e parë, Franca tashmë ka mposhtur edhe Belgjikën në transfertë. Në anën tjetër, Turqia mbetet pa pikë pas humbjes ndaj Italisë, ndërsa gara në këtë grup pritet të jetë interesante deri në fund. /Telegrafi/





