Ceremonia e sivjetme e MTV Video Music Awards (VMA) do të zhvillohet të dielën, më 27 shtator, në Los Angeles, në një mbrëmje që pritet të sjellë disa momente të rëndësishme në historinë e çmimeve muzikore.
Në qendër të vëmendjes është Taylor Swift, e cila gjatë ceremonisë do të marrë çmimin inaugurues ‘Artist Director Honors’.
Me këtë vlerësim, Swift pritet të bëhet artistja më e shpërblyer në historinë e VMA-ve, duke arritur në gjithsej 31 çmime.

Deri tani, Swift ka qenë në barazim me Beyonce, e cila ka fituar 30 çmime VMA.
Në kategorinë e artistëve meshkuj, rekordin e mban Eminem me 15 çmime.Swift do të jetë gjithashtu pjesë e një tjetër momenti të rëndësishëm të mbrëmjes.
Ajo pritet të prezantojë premierën e videoklipit të këngës së re “Patient Zero”, të cilën e ka drejtuar vetë.
Në videoklip shfaqen aktorët Colin Farrell dhe Dakota Johnson.Sa i përket nominimeve, Madonna kryeson listën e këtij viti me 11 nominime, përfshirë kategoritë për videon, artistin dhe këngën e vitit.
Ajo do të hapë gjithashtu ceremoninë me një performancë, në rikthimin e saj në skenën e VMA-ve pas 23 vitesh.
Pas Madonnës renditet Taylor Swift me nëntë nominime, ndërsa Ariana Grande dhe Sabrina Carpenter kanë nga shtatë nominime secila.
Ceremonia do të drejtohet nga Snoop Dogg, i cili është nominuar 13 herë për VMA dhe ka fituar tri çmime gjatë karrierës së tij.
Ceremonia dyorëshe do të zhvillohet në Peacock Theater në Los Angeles dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ShBA. /Telegrafi/




