Andy Carroll është parë për herë të parë në publik që nga rrëfimi i tij për një sulm seksual që, sipas tij, e ka përjetuar disa vite më parë.
Futbollisti 37-vjeçar u rikthye në fushën e lojës të shtunën, në një moment të rëndësishëm për të pas publikimit të detajeve në librin e tij të ri, “Owning It”.
Carroll, i cili aktualisht luan dhe është trajner te Dagenham & Redbridge, u aktivizua në ndeshjen e klubit kundër Hampton & Richmond Borough, të zhvilluar në stadiumin Chigwell Construction. Takimi përfundoi me fitoren 1-0 të Dagenham & Redbridge, shkruan DailyMail.
Në librin e tij, Carroll ka treguar se vendosi vetëm në momentet e fundit ta përfshinte historinë, pas diskutimeve të gjata me botuesin.
Ai e ka përshkruar përvojën si traumatike dhe ka rrëfyer se incidenti ndodhi pas një ndeshjeje të Newcastle United, kur një person i njohur, mik i ish-partneres së tij, ishte bashkuar me të për të parë një ndeshje boksi.
Sipas rrëfimit të tij, pas mbrëmjes së boksit ai kishte konsumuar disa pije dhe më pas ishte ndier i trullosur.
Carroll ka treguar se dyshoi se mund t’i ishte dhënë diçka dhe se situata më pas mori një tjetër drejtim, duke e bërë atë të ndihej i parehatshëm dhe të dëshironte të largohej.
Futbollisti ka vendosur ta ndajë këtë përvojë publike në librin “Owning It”, duke shpjeguar se për të nuk ka qenë e lehtë të rikthehej te ajo ngjarje.
Rrëfimi vjen në një periudhë kur ai po vazhdon angazhimin e tij si futbollist dhe trajner te Dagenham & Redbridge. /Telegrafi/






