Spanja vazhdon të shkruajë histori, “La Roja” mposhti Anglinë me rezultatin 3-2 në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në “Wembley”, duke regjistruar kështu ndeshjen e 39-të radhazi pa humbje.
Sfida në Londër dhuroi përmbysje dhe kundërpërmbysje, por në fund ishte skuadra e Luis de la Fuentes ajo që festoi fitoren.
Pas ndeshjes, trajneri i Spanjës analizoi paraqitjen e ekipit dhe vlerësoi mentalitetin e futbollistëve të tij.
“Patëm 6-7 minuta ku një superfuqi na bëri dëme. Në përgjithësi, besoj se ndeshja ishte nën kontroll. Në disa raste na kushtoi fakti që vrapuam pas shpinës së kundërshtarit”, u shpreh De la Fuente.
Trajneri spanjoll vlerësoi veçanërisht mentalitetin dhe ambicien e grupit që drejton.
“E gjithë kjo uri është meritë e futbollistëve. Janë ambiciozë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Kjo është meritë e këtij grupi, i cili ka treguar vlera përtej aspektit futbollistik. Janë vlera jetësore që i bashkohen talentit të madh futbollistik”.
Spanja tashmë ka arritur në 39 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje, një seri që De la Fuente e sheh si dëshmi të rrugëtimit të këtij brezi.
“Shifrat janë aty. Është shumë e vështirë të bësh atë që po bën kjo skuadër. Ndeshja e radhës do të jetë sikur të jetë e fundit. Ky është sekreti”, deklaroi trajneri spanjoll.
Duke folur për momentin kur Anglia u rikthye në lojë, De la Fuente theksoi rastet e humbura nga skuadra e tij.
“Përmbysja nisi kur patëm tri raste të pastra dhe nuk i shënuam. E shihja skuadrën të aftë për të reaguar në çdo rrethanë. Jam i sigurt se edhe me rezultatin 3-1 do të kishim reaguar njësoj”.
De la Fuente pati fjalë të mira edhe për Ferran Torres, duke vlerësuar kontributin e tij në suksesin e Spanjës.
“Hugo Sanchez ishte shënuesi më i mirë me golat e shënuar me prekjen e parë. Ferran është një goleador shumë i mirë. Jam i kënaqur me punën e tij dhe prej saj përfitoi më pas edhe Mikel Oyarzabal. Kjo është punë skuadre dhe kjo është forca që kemi”.
Në fund, trajneri u pyet edhe për Lamine Yamal dhe mënyrën se si përdoret talenti i Barcelonës në kombëtare.
“Nuk e di se çfarë i kërkon Barcelona. Ne i kërkojmë të bëjë atë që i përshtatet më mirë stilit tonë të lojës. Është një mrekulli që është me ne”, përfundoi De la Fuente. /Telegrafi/






