Austri–Kosovë: Nga vlera e ekipeve te ajo e lojtarëve më të shtrenjtë, renditja në FIFA dhe forma në 10 ndeshjet e fundit

Sport

Austria dhe Kosova përballen sonte (e diel) në “Ernst Happel Stadion” në Vjenë, në një duel ku përveç rëndësisë sportive, dallimet mes dy përfaqësueseve shihen edhe në vlerën e skuadrave, renditjen botërore dhe formën e tyre të fundit. Austria dhe Kosova zbresin në fushë nga ora 18:00, me të dyja përfaqësueset që kërkojnë fitoren e […]

Madhësia e shkronjave

Austria dhe Kosova përballen sonte (e diel) në “Ernst Happel Stadion” në Vjenë, në një duel ku përveç rëndësisë sportive, dallimet mes dy përfaqësueseve shihen edhe në vlerën e skuadrave, renditjen botërore dhe formën e tyre të fundit.

Austria dhe Kosova zbresin në fushë nga ora 18:00, me të dyja përfaqësueset që kërkojnë fitoren e dytë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve. Austria e nisi me fitore ndaj Izraelit, ndërsa Kosova mposhti Irlandën në ndeshjen e parë.

Në prag të ndeshjes, një krahasim mes dy ekipeve tregon disa dallime interesante, duke nisur nga vlera e përgjithshme e skuadrave dhe lojtarët më të shtrenjtë, e deri te pozitat në ranglistën e FIFA-s dhe rezultatet e Austrisë e Kosovës në 10 ndeshjet e fundit.

Sipas të dhënave të faqes së specializuar për vlerësimin e futbollistëve, Transfermarkt, vlera e përgjithshme e ekipit përfaqësues të Austrisë është 245.20 milionë euro.

Në krye të listës së futbollistëve më të vlefshëm të Austrisë është mesfushori i Bayern Munichut, Konrad Laimer, i cili vlerësohet në 32 milionë euro, i cili nuk luan ndaj Kosovës.

Pas tij renditen Nicolas Seiwald (RB Leipzig) me vlerë prej 25 milionë eurosh dhe Paul Wanner (PSV) me 22 milionë euro.

Në mesin e lojtarëve më të shtrenjtë të Austrisë janë edhe Carney Chukwuemeka, David Affengruber dhe Kevin Danso, të gjithë të vlerësuar me nga 20 milionë euro.

Më pas vijnë Romano Schmid me 15 milionë euro, Patrick Wimmer me 12 milionë, si dhe Xaver Schlager me vlerë prej 10 milionë eurosh.

Sa i përket formës së fundit, Austria ka regjistruar gjashtë fitore, dy barazime dhe dy humbje në 10 ndeshjet e fundit.

Austria në këtë periudhë ka mposhtur Izraelin 3-1, ndërsa ka triumfuar edhe ndaj Jordanisë 3-1, Tunizisë 1-0, Koresë së Jugut 1-0, Ganës 5-1 dhe Qipros 2-0.

Dy barazimet e Austrisë kanë ardhur ndaj Algjerisë 3-3 dhe Bosnjë e Hercegovinës 1-1.

Ndërkohë, dy humbjet janë regjistruar ndaj Spanjës 3-0 dhe Argjentinës 2-0, gjatë Kupës së Botës.

Në ranglistën e FIFA-s, Austria aktualisht pozicionohet në vendin e 23-të në botë, ndërsa Kosova renditet në pozitën e 78-të.

Kjo nënkupton një diferencë prej 55 pozitash mes dy përfaqësueseve në renditjen botërore. Austria, ishte pjesë e Kupës së Botës 2026, që u mbajtë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Austria llogaritet si një nga kombëtaret më të respektuara në botë, me yje të futbollit brenda saj.

Në anën tjetër, sipas Transfermarkt, përfaqësuesja e Kosovës ka një vlerë të përgjithshme prej 147.80 milionë eurosh.

Lojtari më i shtrenjtë i Dardanëve është sulmuesi Fisnik Asllani, i vlerësuar me 35 milionë euro.

Pas tij renditen Leon Avdullahu me vlerë prej 30 milionë eurosh dhe Albian Hajdari me 25 milionë euro.

Në mesin e lojtarëve më të vlefshëm janë edhe Edon Zhegrova me 10 milionë euro dhe Arijanet Muric me 7.5 milionë euro.

Më pas vijnë Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni me nga 4 milionë euro, ndërsa Milot Rashica vlerësohet me 3.5 milionë dhe Mërgim Vojvoda me 2.5 milionë euro.

Sa i përket formës së fundit, Kosova ka regjistruar pesë fitore, dy humbje dhe dy barazime në 10 ndeshjet e fundit zyrtare.

Dardanët kanë mposhtur Irlandën 1-0 në ndeshjen e fundit, ndërsa më herët kanë triumfuar ndaj Suedisë dy herë, fillimisht 2-0 dhe më pas 0-1.

Kosova ka fituar edhe ndaj Sllovenisë 0-2, Sllovakisë 3-4 dhe Andorrës 3-0.

Në këtë periudhë, Kosova ka pësuar dy humbje, ndaj Turqisë 0-1 dhe Çekisë 2-1, në miqësore këtë të fundit.

Dy ndeshjet e tjera kanë përfunduar me barazime, ndaj Sllovenisë 0-0 dhe Zvicrës 1-1.

Kosova vazhdon ngjitjen në ranglistën e FIFA-s

Kosova aktualisht e mban vendin e 78-të, duke e vazhduar trendin e ngjitjes pas fitoreve.

Kështu, edhe pse Kosova ka në skuadër lojtarin më të shtrenjtë në këtë përballje, me Fisnik Asllanin që vlerësohet në 35 milionë euro, Austria ka vlerë dukshëm më të madhe si ekip.

Në total, skuadra austriake vlerësohet rreth 97.4 milionë euro më shumë se ajo e Kosovës.

Të gjitha këto të dhëna marrin rëndësi vetëm si pasqyrë statistikore para përballjes, pasi përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha e “Ernst Happel Stadionit”, ku Austria dhe Kosova do të kërkojnë fitoren e dytë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/