Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor i kthehen në qendër të diplomacisë botërore. Nga New York-u, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar Serbinë si të përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese.
Kjo deklaratë vjen në një kohë të brishtë kur veprimet e Beogradit zyrtar po ngrenë shqetësime të larta për sigurinë, veçanërisht në raport me Kosovën. Vetëm tre vjet më parë, grupi i armatosur i udhëhequr nga Milan Radoiçiq kreu sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa një vit më vonë shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc riktheu vëmendjen tek kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke mbajtur edhe më tej alarmim e ndezur për sigurinë kombëtare.
Por në këtë sfond të tensionuar, një zhvillim i ri nga Haga po shihet si një armë e re politike për Serbinë. Aktgjykimi i 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara po shfrytëzohet nga Beogradi për ta ndërtuar një narrativë të re ndërkombëtare kundër Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njohësit e sigurisë alarmojnë se Serbia po e përdor këtë vendim si instrument në kuadër të një lufte të hapur hibride, të mbështetur edhe nga Rusia për të destabilizuar rajonin.
“Kjo çështje duhet të merret mirëfilli edhe si ë kërcënim rajonal për një luftë hibride të vazhdueshme të Serbisë që nuk po ë nuk po gjykohet gjithsesi, nuk po ndërmerret asnjë masë. Ne për pak për një çështje të kësaj të çtensionimit të situatës, me çfarë pasojash patëm me sulmin ndaj policisë tonë, ndaj KFOR-it, me nëntë a tetë të plagosur të KFOR-it, edhe asnjë masë e sankcioneve. Ndërsa ne shumë lehtësisht për për shkak të masave të kësaj të çtensionimit na morën sankcione…” , ka thënë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Por tej presionit ndërkombëtar, Beogradi po tenton të shfrytëzojë edhe ndjeshmërinë e brendshme në Kosovë.
“Serbia sigurisht që do t’i shfrytëzojë këtë momentum edhe në aspektin e sigurisë, përveç në aspektin politik, të cilin veç ka filluar që ta shfrytëzojë dhe të dalë me deklarata të ndryshme ë për ta ë inkriminuar që ka qenë si një organizatë terroriste, për të cilën gjithmonë është deklaruar se është organizatë terroriste”, ka thënë Hysen Gecaj njohës i çështjeve të sigurisë.
Në një rajon kur tensionet e sigurisë mbeten të brishta, paralajmërimi është i qartë: aktgjykimi i fundit i Hagës rrezikon të kthehet në një tjetër instrument presioni dhe propagande në duart e Beogradit, duke sfiduar hapur stabilitetin e Kosovës./RTK






