Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në “Marshimin për Dinjitet” në Madrid, duke kërkuar zgjidhje për krizën e emigrantëve në Ceuta.
Protesta, e organizuar nga Sociedad Civil Española me mbështetjen e Partisë Popullore (PP) dhe Vox, nisi nga Plaza de Cibeles dhe vijoi drejt Arco del Triunfo në Moncloa.
Mes protestuesve ishte edhe lideri i Vox-it, Santiago Abascal, i cili kërkoi që emigrantët e ardhur në Ceuta të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Ai kritikoi ashpër mënyrën se si qeveria spanjolle ka menaxhuar situatën.
“Ceuta mbetet e pushtuar sepse Sanchez vazhdon të jetë shërbëtor i Marokut. Pushtimi përmes emigracionit po inkurajohet”, deklaroi Abascal, duke iu referuar kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez.
Një tjetër “Marshim për Dinjitet” ishte zhvilluar pak para hyrjes masive të emigrantëve në fund të korrikut.
Atëherë, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e Sánchez dhe zgjedhje të parakohshme.
Sipas Delegacionit Qeveritar, protesta e atëhershme mblodhi rreth 40 mijë persona, ndërsa organizatorët pretenduan se pjesëmarrësit ishin deri në 120 mijë.
Ndërkohë, më 2 shtator, në Ditën Zyrtare të Ceutës, mijëra qytetarë protestuan në qytete të ndryshme të Spanjës në një demonstratë të organizuar nga Federata Spanjolle e Bashkive dhe Provincave. /Telegrafi/





