Kim Kardashian ka zbuluar një nofkë të re dhe mjaft lozonjare që ia ka vendosur partnerit të saj, pilotit të Formula 1, Lewis Hamilton.
Themeluesja e markës Skims dhe Hamiltoni janë në lidhje që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa para se të nisnin romancën kanë qenë miq prej vitesh. Kohët e fundit, dyshja ka filluar të ndajë gjithnjë e më shumë momente të përbashkëta në rrjetet sociale, ndërsa Kim tani ka zbuluar edhe një detaj nga dinamika e tyre private.
Ylli televiziv e zbuloi nofkën në një video të realizuar për promovimin e kokoshkave të reja të motrës së saj, Khloé Kardashian.
Teksa motrat po shëtisnin në një dyqan Target, Kim pa një xhel dushi me motive nga seriali i njohur “Bridgerton”.
“Bridgerton! Xhel dushi Bridgerton?”, tha Kim teksa merrte produktin nga rafti. Më pas ajo iu drejtua motrës së saj dhe shtoi me humor: “Unë e kam zotërinë tim Bridgerton, secili të flasë për veten”.
Khloé mbeti pa fjalë, ndërsa videoja u shpërnda me shpejtësi në internet. Kim më pas mori një shishe Almave, pijen joalkoolike të prodhuar nga Hamiltoni, dhe e pyeti motrën: “A e di kush e prodhon këtë?”
Khloé iu përgjigj me shaka: “Bridgerton?”
Deklarata e Kim shkaktoi menjëherë reagime te fansat, shumë prej të cilëve e cilësuan nofkën si mjaft simpatike.
“‘Unë e kam zotërinë tim Bridgerton’. Zot, ajo është vërtet e dashuruar pas tij”, shkroi një përdorues në rrjetin X.
“‘Zotëria im Bridgerton’ është shumë e ëmbël”, komentoi një tjetër.
Një tjetër fans shkroi: “Nofka e Lewisit mes tyre është Bridgerton. Më pëlqen kur Kim thotë se e ka Bridgertonin në shtëpi, po vdes së qeshuri”.
Zbulimi i kësaj nofke erdhi pak pasi çifti publikoi në Instagram një seri fotografish nga momentet që kanë kaluar së bashku.
Në fotografi, ata shihen duke lëvizur me biçikleta Lime nëpër Londër, duke pozuar të veshur elegantë, duke shijuar një kinema në ambient të hapur, si dhe duke udhëtuar me varkë në lumin Sena, me shampanjë dhe pamje nga Kulla Eiffel.
Fansat kanë vënë re gjithashtu edhe një tjetër detaj: bagazhet e tyre janë të personalizuara në mënyrë të ngjashme. Çanta rozë e Kim nga Goyard mban emrin e saj, ndërsa në çantën e zezë të Hamiltonit është vendosur numri 44, numri me të cilin ai garon në Formula 1.
Kim dhe Lewis thuhet se së fundmi kanë marrë edhe një qen të përbashkët, një retriever të artë të quajtur Halo. Edhe pse zyrtarisht qeni konsiderohet i Hamiltonit, ai shfaqet shpesh në postimet ku Kim dhe fëmijët e saj kalojnë kohë me të.
Kim ka katër fëmijë nga martesa me ish-bashkëshortin e saj, Kanye West – North, Saint, Chicago dhe Psalm.
Ndërkohë, Hamiltoni kishte folur në qershor për rëndësinë e mbështetjes së Kim gjatë garave të Formula 1, ku ajo e ka ndjekur nga bokset.
“Është e jashtëzakonshme që erdhi këtë fundjavë dhe më mbështeti. Është fantastike të kesh njerëz të mirë pranë vetes që të mbështesin, dhe ajo e bën këtë për mua çdo ditë”, kishte thënë ai pas Çmimit të Madh të Monakos.
Disa javë më vonë, kur u pyet nëse lumturia e tij lidhej me lidhjen e re, Hamiltoni u përgjigj shkurt: “Dhe sigurisht, sigurisht që është Kim”. /Telegrafi/






