Rasti Xhaka merr kthesë të re – zbulohet ku dyshohet se përdori certifikatën e falsifikuar

Sport

Rasti i Granit Xhakës po merr një tjetër kthesë, ndërsa raportimet e reja në Zvicër kanë ngritur dyshime se certifikata e falsifikuar e vaksinimit kundër COVID-19 mund të jetë përdorur nga kapiteni i Zvicrës për udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2022. Xhaka, i cili në atë kohë ishte pjesë e Arsenalit, tashmë ka […]

Madhësia e shkronjave

Rasti i Granit Xhakës po merr një tjetër kthesë, ndërsa raportimet e reja në Zvicër kanë ngritur dyshime se certifikata e falsifikuar e vaksinimit kundër COVID-19 mund të jetë përdorur nga kapiteni i Zvicrës për udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2022.

Xhaka, i cili në atë kohë ishte pjesë e Arsenalit, tashmë ka pranuar se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar. Mesfushori ka thënë se në atë periudhë kishte pasur shqetësime dhe mosbesim ndaj vaksinës, duke e cilësuar vendimin e tij si gabim.

“Ndihesha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime serioze për vaksinimin kundër COVID-19. Në atë gjendje të trazuar emocionale, mora një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia në mënyrën e duhur. Sot e kuptoj qartë se ky nuk ishte veprimi i duhur. Ishte një gabim. Më vjen keq”, deklaroi Xhaka.

Megjithatë, raportimet e reja kanë rikthyer në vëmendje udhëtimin e tij me Arsenalin drejt SHBA-së në verën e vitit 2022. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara kishin ende në fuqi kërkesën që udhëtarët e huaj që hynin në vend përmes rrugëve ajrore të dëshmonin vaksinimin kundër COVID-19.

Arsenali zhvilloi turneun parasezonal në SHBA në korrik të atij viti, ndërsa Xhaka ishte pjesë e skuadrës. Në të njëjtën periudhë, disa futbollistë të Ligës Premier nuk udhëtuan me klubet e tyre për shkak të statusit të vaksinimit.

Chelsea, për shembull, nuk mori me vete N’Golo Kanten dhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa Manchester City udhëtoi pa Phil Foden, John Stones dhe İlkay Gundogan.

Tashmë autoritetet zvicerane po hetojnë rrethanat e certifikatës së Xhakës. Prokuroria e Lucernës ka hapur procedurë për të përcaktuar nëse ka pasur veprimtari të dënueshme penalisht lidhur me sigurimin e dokumentit të falsifikuar. Xhaka pritet të merret në pyetje në kuadër të hetimit./Telegrafi/