​Nagavci: Kemi 11 ditë për zgjedhjen e presidentit, Kurti do të bëjë gjithçka për të siguruar zgjedhjen e presidentit

Nacionale

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të bëjë gjithçka në mandatin e tij, për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja. Ajo bëri të ditur se kanë mbetur vetëm 11 ditë deri në zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi do […]

Madhësia e shkronjave

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të bëjë gjithçka në mandatin e tij, për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Ajo bëri të ditur se kanë mbetur vetëm 11 ditë deri në zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kemi vetëm 11 ditë që të zgjedhim presidentin e vendit, përndryshe do të shkojmë në zgjedhje të reja. Në këtë pikë është tejet e rëndësishme që të kemi të gjitha institucionet, përfshi presidentin, me funksion të plotë dhe të shmangim zgjedhjet e reja. Besoj se shumë shpejt kryeministri Kurti do të bëjë të qartë takimet e radhës se si duhet të adresohen. Ju e dini se ka qenë në një udhëtim zyrtar ku ka paraqitur edhe qëndrimet e tij e të shtetit të Kosovës në takime të rëndësishme, por besoj që edhe në këtë periudhë të mbetur, ashtu sikurse deri më tani pra që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kryeministri Kurti, do të bëjë gjithçka që është në mandatin e tij, që të kemi institucione funksionale të zgjedhim presidentin edhe të shmangim zgjedhjet e reja”, tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë.

Sa i përket projektligjit të iniciuar nga PDK-ja pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, Nagavci ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes dhe grupet e tjera parlamentare nuk janë konsultuar për këtë nismë.

E për të, Nagavci tha se as ekipet mbrojtëse të krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar në lidhje me këtë projektligj.

“Natyrisht se ne do të japim kontributet tona, por duhet të përmendet që askush, me sa unë jam në dijeni, nga Lëvizja Vetëvendosje, pra qoftë nga deputetët, qoftë nga kolegët bashkëpunëtorët tanë, nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë të PDK-së. Pra, kjo duhet të jetë një nismë që na bashkon të gjithëve. Dhe ashtu sikurse veç e përmenda, jo vetëm që askush nga partitë, jo vetëm nga Lëvizja, por me sa e kuptova edhe nga partitë e tjera parlamentare nuk janë konsultuar në lidhje me këtë nismë. Me aq sa kam dëgjuar përfaqësuesin e PDK-së ka deklaruar që është një grup i ekspertëve, disa ekspertë, që nuk e di kush janë që kanë dhënë kontributet e tyre. Por, ajo që është e rëndësishme është që, me sa unë jam në dijeni, as ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar në lidhje me këtë projektligj”, tha ajo. /Kp/