Peja pëson humbje të thellë nga Dinamo Bukuresht

Sport

Klubi i basketbollit Peja është shumë pranë eliminimit nga FIBA Europe Cup, pasi pësoi humbje të thellë në ndeshjen e parë të kualifikimeve për sezonin e rregullt. Pejanët u mposhtën të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” nga Dinamo e Bukureshtit me rezultat 96:58, në një ndeshje ku skuadra rumune dominoi nga fillimi deri në fund. […]

Madhësia e shkronjave

Klubi i basketbollit Peja është shumë pranë eliminimit nga FIBA Europe Cup, pasi pësoi humbje të thellë në ndeshjen e parë të kualifikimeve për sezonin e rregullt.

Pejanët u mposhtën të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” nga Dinamo e Bukureshtit me rezultat 96:58, në një ndeshje ku skuadra rumune dominoi nga fillimi deri në fund.

Dinamo e krijoi epërsinë kryesore që në çerekun e parë, të cilin e fitoi 27:11, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazh të konsiderueshëm.

Peja reagoi në çerekun e dytë dhe e fitoi atë 18:14, por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Në çerekun e tretë, skuadra rumune riktheu kontrollin e plotë dhe e fitoi këtë periudhë 27:12, duke e rritur ndjeshëm epërsinë.

As në periudhën e fundit nuk pati befasi, pasi Dinamo vazhdoi dominimin dhe e fitoi edhe këtë çerek me rezultat 28:17, për të regjistruar në fund një fitore me 38 pikë dallim.

DJ Burns ishte lojtari më i dalluar te Dinamo e Bukureshtit, duke realizuar 16 pikë, 11 kërcime dhe pesë asistime.

Te Peja, Xavier Johnson ishte më efikasi me 11 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime. Me 11 pikë e mbylli ndeshjen edhe Robert Smith, por pati shumë tentime të pasakta.

Dwight Wilson realizoi shtatë pikë, ndërsa Orges Shatri kontribuoi me pesë pikë për skuadrën e drejtuar nga Mihalis Kakiouzis.

Ndeshja kthyese mes dy skuadrave do të zhvillohet më 30 shtator në Bukuresht, ku Pejës i duhet një përmbysje e madhe për të siguruar kualifikimin në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, që është niveli i dytë i garave të organizuara nga FIBA.

Peja për herë të fundit në këtë garë kishte marrë pjesë në vitin 2024, por edhe atëherë ishte eliminuar në fazën kualifikuese. Pejanët kishin humbur të dyja ndeshjet ndaj skuadrës greke Maroussi Basketball Club, 98:75 në udhëtim dhe 106:81 në shtëpi./Telegrafi/