Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka konfirmuar se Vedat Muriqi do të jetë kapiteni i ri i “Dardanëve”, pas mungesës së Amir Rrahmanit.
Foda e bëri të ditur vendimin në konferencën për media para ndeshjes me Irlandën, duke treguar gjithashtu se Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.
“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, deklaroi Foda.
Muriqi tashmë e ka mbajtur shiritin e kapitenit në disa raste kur Rrahmani ka munguar dhe tani do ta udhëheqë Kosovën në një kapitull të ri, pas largimit të mbrojtësit të Napolit nga përfaqësuesja. UEFA e kishte evidentuar Muriqin si kapiten edhe në ndeshjen e marsit ndaj Turqisë.
Foda foli edhe për objektivat e Kosovës në Grupin 3 të Ligës B, ku përveç Irlandës janë edhe Austria dhe Izraeli.
“Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup Austria është favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, tha trajneri gjerman.
Kosova do ta nisë këtë seri ndeshjesh të enjten ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, me ndeshjen që fillon në orën 20:45. “Dardanët” më pas do të përballen me Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.
Foda u ndal edhe te lojtarët e rinj që janë afruar në përfaqësuese, duke vlerësuar paraqitjet e tyre gjatë përgatitjeve.
“Lojtarët e rinj janë ambientuar shumë mirë në ekip. Ata kanë bërë mirë në stërvitje dhe nesër shpresojmë të arrijmë rezultat pozitiv”, përfundoi Foda. /Telegragi/






