Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u takua me Zeina Hilal, drejtoreshë e Programit për Programet Gjinore dhe të Rinisë pranë Unionit Interparlamentar (UIP) përpara ngjarjes së nesërme “Avancimi i barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoninë e Veriut”.
Siç thonë nga kabineti i Gashit, në takim, u biseduan çështjet dhe sfidat aktuale që lidhen me avancimin e barazisë gjinore, forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike dhe politike, si dhe krijimin e kushteve për përfshirjen e tyre aktive dhe të barabartë në proceset e vendimmarrjes.
“Vëmendje e veçantë u ishte kushtuar sfidave me të cilat përballen gratë dhe të rinjtë në hapësirën digjitale, duke përfshirë edhe dhunën digjitale dhe format e ndryshme të diskriminimit. Në këtë kontekst, ishte theksuar nevoja për avancimin e vazhdueshëm tëmekanizmave institucionalë për parandalim dhe mbrojtje, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për njohjen dhe parandalimin e të gjitha formave të dhunës dhe pabarazisë”.
“Gjatë takimit, u bisedua edhe ndikimi i stereotipeve gjinore në mundësitë për pjesëmarrje të barabartë të grave në jetën publike, si dhe rëndësia e krijimit të mjedisit në të cilin gratë dhe të rinjtë do të kenë mundësi të barabarta për të kontribuar në proceset demokratike dhe hartimin e politikave”.
“Bashkëbiseduesit ranë dakord që Kuvendi, në bashkëpunim me Unionin Interparlamentar, do të punojë për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira. Përkushtimi i përbashkët për këto çështje është me rëndësi të veçantë për ndërtimin e shoqërisë në të cilën barazia, përfshirja dhe respektimi i të drejtave të njeriut do të jenë vlera themelore”.
“Vazhdimi i bashkëpunimit me UIP-në është kontribut i rëndësishëm në krijimin e hapësirës më të sigurt, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse për gratë dhe të rinjtë, në mënyrë që ata të marrin pjesë aktive në jetën publike dhe të kenë mundësinë të japin kontributin e tyre të plotë në zhvillimin e shoqërisë demokratike”, thonë nga kabineti i Gashit.






