Organizata Islamic Relief Kosova ka përfunduar shpërndarjen e 1,400 pakove ushqimore për familjet dhe kategoritë e cenueshme në tetë komuna të Kosovës.
Sipas njoftimit të kësaj organizate, shpërndarja është realizuar në kuadër të një projekti të bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës, përmes Masës 3.4.
“Përfundoi shpërndarja e 1,400 pakove ushqimore në kuadër të Masës 3.4”, thuhet në njoftimin e Islamic Relief Kosova.
Pakot ushqimore janë shpërndarë në komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Mitrovicës, Skenderajt, Drenasit, Podujevës, Prizrenit dhe Gjilanit.
Sipas Islamic Relief Kosova, kjo mbështetje ka për qëllim lehtësimin e shpenzimeve bazë për familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
“Kjo mbështetje synon të lehtësojë shpenzimet bazë të familjeve që përballen me vështirësi ekonomike dhe t’u sigurojë atyre ushqime për nevojat e përditshme”, thuhet në njoftim.
Organizata ka bërë të ditur se me këtë aktivitet janë përfshirë familje dhe kategori të cenueshme në tetë komuna të vendit. /Telegrafi/






