Konstatimet e Gjykatës për Selimin: Mori pjesë në arrestime dhe ishte i pranishëm në vendet ku u kryen krimet

Nacionale

Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka paraqitur konstatimet e tij lidhur me Rexhep Selimin, në kuadër të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas kryegjyqtarit Charles Smith, Trupi Gjykues ka konstatuar se Selimi ka dhënë kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe se ka qenë […]

Madhësia e shkronjave

Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka paraqitur konstatimet e tij lidhur me Rexhep Selimin, në kuadër të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kryegjyqtarit Charles Smith, Trupi Gjykues ka konstatuar se Selimi ka dhënë kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe se ka qenë anëtar kyç i tij.

Smith tha se Selimi kishte emëruar persona besnikë në pozita të ndryshme, me qëllim të ruajtjes së kontrollit brenda UÇK-së, ndërsa, sipas konstatimeve të gjykatës, disa prej këtyre personave kryen krime ose kishin dijeni për to.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Selimi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh ndaj personave të konsideruar kundërshtarë, por nuk kishte ndërmarrë hapa për parandalimin apo ndëshkimin e tyre.

“Zotëri Selimi ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm, para fillimit të konfliktit. Si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ishte njëri ndër themeluesit e zonave operative, por sipas trupit gjykues, në dallim me të akuzuarit të tjerë, se themelimi i këtyre zonave nuk ishte kriminal”, deklaroi Smith.

Sipas tij, Selimi kishte marrë raporte të shpeshta lidhur me persona të dyshuar dhe kolaboracionistë.

“Ai mori raporte të shpeshta për persona të dyshuar dhe kolaboracionistë. Selimi ishte për disa zona përgjegjës dhe po shënjëstronte disa persona të dyshuar”, tha kryegjyqtari.

Smith deklaroi se, sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, Selimi kishte dijeni për veprimet e personave të emëruar prej tij.

“Selimi ishte në dijeni për të gjitha veprimet, pasi kishin emëruar persona besnikë. Zotëri Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve në Qirez. Trupi gjykues konstatoi se Selimi ishte i pranishëm në vendet ku janë kryer krimet”, u shpreh ai.

Kryegjyqtari tha se Trupi Gjykues ka konstatuar se Selimi nuk kishte ndërmarrë veprime për ndalimin e krimeve, ndonëse, sipas gjykatës, ishte në dijeni për kryerjen e tyre.

“Zotëri Selimi, sipas konstatimeve të trupit gjykues, nuk mori veprime që të ndalonte ato krime dhe ishte në dijeni për kryerjen e krimeve, por nuk kishte marrë asnjë hap për ndalimin e këtyre krimeve”, deklaroi Smith.

Sipas tij, në vend të ndëshkimit të personave që kryenin krime, Selimi kishte kontribuar në ngritjen e tyre në detyrë.

“Në vend se të ndëshkoheshin personat që kryenin krime, Selimi i kishte ngritur në detyrë. Po ashtu, zotëri Selimi ishte emëruar ministër i rendit publik në qeverinë e përkohshme. Në një rast ai kishte ndërhyrë për t’i liruar katër persona të UÇK-së që kishin kryer krime, në një qendër të paligjshme ndalimi, duke mos siguruar që UÇK-ja të ishte në rregulla me të drejtat humanitare ndërkombëtare”, tha Smith.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po shpallet më 16 shtator në Hagë. Seanca është publike dhe po transmetohet edhe online nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Edili Project mbështet këtë mbulim special nga Haga. /Telegrafi/