Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke thënë se tashmë është hapur rruga për hapin e radhës, formimin e Qeverisë.
Haxhiu ka uruar nënkryetarët e zgjedhur të Kuvendit dhe ka falënderuar deputetët që morën pjesë në seancë dhe ushtruan përgjegjësinë e tyre përmes votës.
Ajo ka theksuar se pozita e njërit prej nënkryetarëve, që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, ka mbetur e paplotësuar.
“Pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së mbetet ende e paplotësuar. Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, kjo pozitë vazhdon t’i takojë PDK-së dhe mbetet e rezervuar për këtë subjekt politik.
“Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka bërë thirrje që institucionet të funksionojnë dhe që procesi i funksionalizimit të plotë të tyre të vazhdojë pa vonesa.
“Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/






