Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka ngritur pikëpyetje serioze rreth mënyrës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që krejt procesi të trajtohet sa më parë nga Gjykata Kushtetuese.
Në një reagim publik, Gruda ka kundërshtuar logjikën sipas së cilës mospropozimi i kandidatit për nënkryetar në dy vazhdime të seancës mund të konsiderohet si “mosushtrim i së drejtës së propozimit”.
Sipas tij, nëse përdoret një standard i tillë, atëherë i njëjti duhet të zbatohet edhe për mospropozimin e Kryetarit të Kuvendit në vazhdimet e mëhershme të seancës.

“Nëse mospropozimi i nënkryetarit në dy vazhdime të seancës konsiderohet bazë për me konstatu ‘mosushtrimin e së drejtës së propozimit’, atëherë çka me i bo faktit që po aq herë nuk ishte propozuar as Kryetari i Kuvendit – duke çu madje edhe në shkeljen e afatit kushtetues 30-ditor për konstituim?”, ka shkruar Gruda.
Ai ka ngritur po ashtu çështjen e mosvazhdimit të seancës konstituive për javë të tëra, pavarësisht afatit procedural prej 48 orësh.
Gruda ka insistuar edhe më herët se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është detyrim kushtetues, ndërsa PDK gjatë muajit gusht kishte kundërshtuar edhe mosvazhdimin e seancës brenda afatit prej 48 orësh.
Sipas deputetit të PDK-së, për këtë arsye është bërë e domosdoshme ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm për të konstatuar shkeljet eventuale, por edhe për të përcaktuar pasojat juridike të tyre.
“Duhet me e ndërpre këtë praktikë të hajgareve me afatet strikte kushtetuese – e rrjedhimisht, edhe me institucionet”, ka theksuar ai.
Gruda paralajmëron se situata është bërë edhe më serioze tani, pasi një seancë konstituive që kontestohet juridikisht mund të ndikojë edhe në procedurat e ardhshme kushtetuese.
Sipas tij, pa një sqarim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, vendimet që burojnë nga një Kuvend i konstituuar në rrethana të kontestuara mund të prodhojnë pasoja edhe për zgjedhjen e Qeverisë dhe proceset tjera institucionale që pasojnë.
“Tash nevoja për një aktgjykim të Gjykatës është edhe më e madhe, sepse një seancë konstituive juridikisht e kontestueshme mund të prodhojë pasoja të pariparueshme edhe për procedurat kushtetuese që vijnë më pas”, ka përfunduar Gruda.





