Policia e Kosovës ka kthyer prapa rreth 15 vetura në Mitrovicë të Veriut, të cilat tentonin të lëviznin në këtë pjesë të qytetit me simbole shtetërore dhe kombëtare.
Ky veprim u ndërmor të shtunën, më 12 shtator 2026, në kuadër të një plani operativ të Policisë së Kosovës, në ditën kur në Prishtinë u mbajt “Marshi për Liri” në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se vendimi është marrë për të shmangur situatat që mund të nxisin provokime.
“Kjo u bë në mënyrë që të shmangen situata që mund të nxisin provokime”, ka deklaruar Elshani.
Sipas tij, i njëjti plan operativ ishte zhvilluar edhe më 28 nëntor 2025, në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë./Telegrafi/





