Khvicha Kvaratskhelia beson se Paris Saint-Germaini nuk ka kufij dhe se skuadra parisiene ka potencialin për t’i fituar të gjithë trofetë edhe këtë sezon.
Në një intervistë për gazetën franceze L’Equipe, reprezentuesi i Gjeorgjisë ka vlerësuar mentalitetin fitues të PSG-së, duke theksuar se uria për suksese mund ta ndihmojë ekipin të arrijë objektivat më të mëdha.
“Me këtë skuadër, gjithçka është e mundur! Nëse e ruajmë këtë uri për fitore, mund t’i fitojmë të gjithë trofetë”, ka deklaruar ish-futbollisti i Napolit.
Megjithatë, Kvaratskhelia e di se vazhdimi i sukseseve është një sfidë e vështirë. Sipas tij, fitimi i trofeve kërkon shumë punë, ndërsa ruajtja e nivelit të lartë është edhe më e vështirë.
“Është veçanërisht e vështirë të vazhdosh të fitosh. Kur e do futbollin, e di se fitimi i trofeve nuk është i lehtë”, ka thënë ai.
“Por ta ruash këtë nivel është edhe më e vështirë. E dua këtë skuadër të PSG-së, e cila, pavarësisht kundërshtarit apo ndeshjes, është e uritur dhe dëshiron gjithmonë të fitojë”, ka shtuar Kvaratskhelia.
Paris Saint-Germaini ka nisur një sezon të ri me synime të mëdha, ndërsa deklaratat e yllit gjeorgjian duken si një mesazh i qartë për rivalët: kampionët e Evropës nuk kanë ndërmend të kënaqen me sukseset e arritura./Telegrafi/






