Ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar një kompleks të madh nëntokësor të përdorur nga Hezbollahu në Libanin jugor.
Ajo njoftoi se përdori më shumë se 1,000 tonë eksploziv për të shkatërruar dy tunele që shtriheshin në një gjatësi prej më shumë se 2 km (1.2 milje) nën kreshtën Ali Taher, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Shpërthimi shkaktoi aktivitet sizmik të barabartë me një tërmet të magnitudës 4.1, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).
Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm publik nga Hezbollahu apo qeveria libaneze.
Forcat izraelite morën kontrollin e kreshtës javën e kaluar pas muajsh luftimesh me grupin e mbështetur nga Irani në atë zonë.
Ushtria izraelite mban nën kontroll një pjesë të madhe të Libanit jugor, të pushtuar pasi konflikti me Hezbollahun rifilloi në mars.
IDF-ja deklaroi se infrastruktura nëntokësore përfshinte një qendër komandimi të përdorur nga njësia “Badr” e Hezbollahut dhe përmbante dhjetëra raketa, predha dhe mjete ajrore pa pilot, si dhe armë antitank, mina e eksplozivë.
“Kjo ishte një infrastrukturë strategjike e ndërtuar gjatë dy dekadave, e financuar dhe e planifikuar nga regjimi terrorist iranian”, citohet të ketë thënë IDF-ja në një deklaratë në Telegram.
“Të gjithë terroristët që ndodheshin brenda infrastrukturës u eliminuan ose u larguan”.
IDF-ja tha se shkatërrimi i kompleksit përmbylli një mision për të shkatërruar tetë tunele dhe për të krijuar një “zonë sigurie” në zonë.
Ky veprim i fundit vjen në mes të luftimeve të ripërtëritura në Libanin jugor, ku forcat izraelite kanë zgjeruar operacionet kundër pozicioneve të Hezbollahut dhe vazhdojnë të mbajnë atë që Izraeli e përshkruan si një zonë sigurie pranë kufirit. /Telegrafi/






