Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ka aprovuar ankesën e Agron Zeqirit dhe ka anuluar vendimin e World Aquatics ndaj tij, duke rrëzuar akuzat për diskriminim, racizëm, keqpërdorim të pozitës, nepotizëm dhe favorizim.
Sipas Vendimit CAS 2025/A/11534, paneli nuk ka gjetur asnjë parregullsi në veprimet e Agron Zeqirit dhe Federatës së Notit të Kosovës (FNK), ndërsa ka konstatuar se procesi i selektimit të zhvilluar nga FNK-ja ishte në përputhje me rregullat.
Në të njëjtin vendim, megjithatë, dalin në pah parregullsi dhe mospërputhje në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Kosovës për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Sipas vendimit, në procesin fillestar të kualifikimit, Mal Gashi dhe Eda Zeqiri ishin sportistët e kualifikuar sipas rregullave në fuqi. Në garat në Fukuoka dhe Doha, Eda Zeqiri kishte 682 pikë FINA, duke qenë përpara Hana Beiqit.
Pas heqjes së kushtit kualifikues nga World Aquatics, në kualifikimet shtesë Hana Beiqi arriti 695 pikë FINA dhe, mbi këtë bazë, u përfshi në vendimin e FNK-së për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike.
FNK-ja më pas kishte propozuar Mal Gashin dhe Hana Beiqin si sportistë, ndërsa Besart Shalën si trajner. Ky propozim iu dërgua KOK-ut dhe World Aquatics përmes sistemit GMS.
Megjithatë, emrat që përfundimisht u dërguan në Paris ishin Adell Sabovic si sportist dhe Astrit Haliti si trajner.
Sipas konstatimeve të CAS-it, Adell Sabovic nuk ishte propozuar nga FNK-ja. Po ashtu, ai nuk kishte përmbushur disa prej kushteve relevante, përfshirë kushtin e rezidencës trevjeçare në Kosovë dhe nuk kishte qenë pjesë e ndonjë klubi sportiv në Kosovë.
Vendimi thekson se Sabovic, për rrjedhojë, nuk kishte qenë pjesë e sistemit sportiv të Kosovës të menaxhuar dhe njohur nga institucionet kompetente sportive. Gjithashtu, lidhja e tij me Kosovën ishte krijuar në një periudhë të afërt me procesin e pjesëmarrjes në “Paris 2024”, ndërsa shtetësinë e Kosovës e kishte marrë në funksion të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.
Në anën tjetër, Mal Gashi, i cili ishte njëri prej sportistëve të kualifikuar dhe kishte më së shumti pikë FINA në kategorinë e meshkujve në Kosovë, nuk u dërgua në Lojërat Olimpike.
Edhe përzgjedhja e trajnerit u bë në kundërshtim me propozimin e FNK-së. Federata kishte propozuar Besart Shalën, i cili kishte më shumë pikë se Astrit Haliti, por KOK-u vendosi ta dërgojë Halitin në Paris.
CAS ka sqaruar se përgjegjësia për vendimin përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike i takon KOK-ut, në bashkëpunim me propozimet e federatës përkatëse sportive.
Në këtë rast, sipas pretendimeve të paraqitura në vendim, FNK-ja nuk ishte njoftuar për ndryshimin e emrave dhe nuk iu ishte dorëzuar vendimi i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, pavarësisht kërkesave të saj. Sipas Statutit të KOK-ut, pikërisht Bordi Ekzekutiv është organi kompetent për të vendosur për sportistët që marrin pjesë në Lojërat Olimpike./Telegrafi/






