Alejandro Balde, 22-vjeçari i krahut të majtë, është në qendër të zërave për të ardhmen e tij te Barcelona, pasi gjatë verës vendosi të qëndronte në klub për të rifituar vendin në formacion.
Megjithatë, sezoni ka nisur në mënyrën më të vështirë për të, pasi nuk ka luajtur asnjë minutë në pesë ndeshjet zyrtare të zhvilluara deri më tani.
Hansi Flick vazhdon t’u besojë Xavi Espart dhe Joao Cancelos në krahun e majtë, një situatë që mund ta shtyjë Balden të rishqyrtojë të ardhmen e tij kur të hapet afati kalimtar i janarit.
Balde kishte mundësi të largohej nga Barcelona gjatë muajit gusht, veçanërisht pasi Flick kishte kërkuar prej tij më shumë paraqitje dhe përkushtim. Megjithatë, lojtari vendosi të qëndronte dhe të luftonte për një pozitë që e kishte mbajtur rregullisht në formacion gjatë sezoneve të mëparshme në La Liga.
Fillimi i sezonit nuk ka ndryshuar hierarkinë te Barcelona. Balde ka qenë pjesë e disa listave të grumbullimit, përfshirë ndeshjen në Mestalla dhe debutimin evropian ndaj Feyenoordit, por Flick nuk i ka dhënë ende asnjë minutë në fushë.
Përfituesi kryesor nga kjo situatë ka qenë Xavi Espart, i cili ka startuar në katër nga pesë ndeshjet e para zyrtare dhe ka shfrytëzuar mundësinë për ta kaluar Balden në hierarkinë e Flickut.
Edhe Liga e Kampionëve konfirmoi se konkurrenca për këtë pozitë mbetet e hapur. Flick e pushoi Espartin në ndeshjen ndaj Feyenoordit dhe zgjodhi Joao Cancelon si mbrojtës të majtë, ndërsa Balde sërish e ndoqi ndeshjen nga banka rezervë, në fitoren 5-1 të Barcelonës.
Cancelo u rikthye te Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës me mbështetjen e trajnerit Flick. Prania e tij i jep teknikut gjerman një tjetër alternativë në krahun e majtë, duke i zvogëluar edhe më shumë mundësitë e menjëhershme të Baldes dhe duke e afruar atë me një largim të mundshëm nga Camp Nou.
Drejtori sportiv Deco foli këtë javë për situatën e Baldes, duke mohuar se ekziston ndonjë konflikt brenda klubit./Telegrafi/






