Kriza te Fenerbahçe ka marrë një kthesë të papritur, pavarësisht deklaratave të presidentit Aziz Yıldırım se Ismail Kartal vazhdon të jetë trajner i skuadrës.
Tekniku turk nuk është paraqitur në stërvitjen e sotme të ekipit dhe, sipas raportimeve nga Turqia, ka ndërprerë kontaktet me drejtuesit e klubit.
Gazetari Yagiz Sabuncuoglu raporton se Kartal ka fikur telefonin e tij dhe aktualisht nuk është i arritshëm për drejtuesit e Fenerbahces.
Mungesa e tij ka shkaktuar situatë të pazakontë në klub, pasi seanca stërvitore është dashur të drejtohet nga Dirk Kuyt dhe Zeki Gole.
Kartal kishte paralajmëruar largimin e tij menjëherë pas barazimit 1-1 ndaj Romës në Ligën e Kampionëve. Trajneri ishte i revoltuar edhe për shkak të një incidenti gjatë ndeshjes, kur një tifoz e goditi me shishe në kokë nga tribunat.
Në të njëjtën kohë, presioni mbi të ishte rritur edhe për shkak të rezultateve jo bindëse në fillim të sezonit në kampionatin turk.
Pavarësisht kësaj, presidenti Yıldırım deklaroi publikisht se Kartal është nën stres, por se vazhdon të jetë në krye të skuadrës dhe duhet të vazhdojë punën e tij.
Megjithatë, veprimet e trajnerit duket se tregojnë të kundërtën. Duke mos u paraqitur në stërvitje dhe duke ndërprerë kontaktet me klubin, Kartal ka dhënë sinjale të qarta se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar.
Tashmë drejtuesit e Fenerbahçes pritet të tentojnë të kontaktojnë me trajnerin për të zhvilluar një takim urgjent dhe për të marrë një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij në stol./Telegrafi/






