Një aksident i trefishtë është regjistruar këtë pasdite në aksin nacional Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtëbardhë. Sipas të dhënave paraprake, tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Si pasojë e përplasjes, një prej makinave ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në tokat bujqësore, duke mbetur e bllokuar në një kanal, ndërsa dy automjetet e tjera kanë mbetur në rrugë.

Nga aksidenti janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmën mjekësore. Mësohet se njëri prej të plagosurve është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Burime paraprake nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshohet që aksidenti të ketë ndodhur si pasojë e një parakalimi të gabuar.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e plotë të aksidentit./RTSH





