Nga starti i ëndrrave, te beteja për titull – Albin Krasniqi flet për ambiciet e Prishtinës

Sport

Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Superligën e Kosovës. Katër ndeshje, katër fitore dhe vendi i parë në tabelë kanë rikthyer entuziazmin te klubi kryeqytetas, i cili synon të rikthehet në majat e futbollit kosovar. Një prej futbollistëve që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë […]

Madhësia e shkronjave

Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Superligën e Kosovës. Katër ndeshje, katër fitore dhe vendi i parë në tabelë kanë rikthyer entuziazmin te klubi kryeqytetas, i cili synon të rikthehet në majat e futbollit kosovar.

Një prej futbollistëve që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë start është Albin Krasniqi, i cili deri tani ka shënuar katër gola.

Në një intervistë për Telegrafin, Krasniqi ka folur për fillimin e sezonit, formën e tij personale, ndikimin e trajnerit Orges Shehi, rivalët në garën për titull, ambiciet e skuadrës dhe mbështetjen e madhe të “Plisave”.

Krasniqi është i kënaqur që po kontribuon për skuadrën, por thotë se më shumë rëndësi ka forma e mirë e gjithë ekipit.

“Normalisht jam i kënaqur që po e ndihmoj ekipin, por më i kënaqur jam me formën e ekipit që kemi. Shpresoj shumë që të vazhdojmë me këtë formë”, u shpreh Krasniqi për Telegrafin.

Pavarësisht startit perfekt, sulmuesi prishtinas nuk dëshiron të flasë ende për titullin, duke theksuar se fokusi i skuadrës është te ndeshja e radhës.

“Kemi nisur kampionatin mjaft mirë. Objektivi ynë është vetëm ndeshja e radhës, ndërsa llogaritë do t’i bëjmë në fund. Shpresojmë shumë që gjërat të shkojnë mirë deri në fund”, deklaroi ai.

Për këtë fillim pozitiv, Krasniqi i atribuon merita të mëdha edhe trajnerit Orges Shehi, ndërsa thekson atmosferën e mirë që mbizotëron brenda skuadrës.

“Trajneri ka merita të mëdha. Kemi një atmosferë të mirë brenda klubit dhe të gjithë jemi të etur për sukses. Po mundohemi t’i zbatojmë detyrat e trajnerit në përpikëri dhe të vazhdojmë me paraqitje pozitive”, tha Krasniqi.

Sa i përket objektivave personale, ai synon të vazhdojë ta ndihmojë ekipin, ndërsa beson shumë në cilësinë e grupit.

“Ambicia ime për këtë sezon është ta ndihmoj ekipin me paraqitje pozitive. Besoj shumë në këtë grup, pasi ka shumë cilësi. Shpresoj të mos kemi lëndime gjatë kampionatit”, u shpreh Krasniqi.

Në garën për titull, ai pret një kampionat të fortë dhe sheh disa skuadra si rivalët kryesorë të Prishtinës.

“Kampionati është shumë i fortë. Si rivalë i shoh Dritën, Ballkanin, Malishevën dhe Gjilanin, por më shumë mendojmë për veten sesa për ekipet tjera”, theksoi ai.

Në fund, Krasniqi kishte një mesazh të veçantë për “Plisat”, të cilët po e mbështesin fuqishëm Prishtinën edhe këtë sezon.

“Plisat janë forca jonë në çdo ndeshje. Nuk ka dallim se ku luajmë, ata janë gjithmonë aty për ne”.

“Mesazhi im për Plisat është të vazhdojnë të besojnë tek ky grup dhe, me ndihmën e Zotit, në fund të kampionatit të gëzohemi bashkë për sukseset e Prishtinës”, përfundoi Krasniqi./Telegrafi/