Roma do të zbresë në fushë me një fanellë të veçantë në debutimin e saj në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke përcjellë një mesazh solidariteti për popullin e Nepalit.
Në përballjen ndaj Fenerbahces, e cila zhvillohet të enjten në Stamboll, skuadra italiane nuk do ta ketë sponsorin e zakonshëm në pjesën e përparme të fanellës.
Në vend të tij do të shfaqet logoja e World Food Programme (WFP), si pjesë e një nisme për të mbështetur njerëzit e prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Nepal.
Sipas Romës, fatkeqësitë natyrore kanë prekur rëndë disa zona të Nepalit, duke lënë komunitete të tëra të izoluara.
Rreth 43 mijë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare urgjente, ndërsa WFP po angazhohet me ndihma ushqimore dhe mbështetje logjistike për zonat më të prekura.
Por iniciativa e Romës nuk do të përfundojë me vërshëllimën e fundit të ndeshjes. Fanellat që lojtarët e Romës do të përdorin gjatë sfidës ndaj Fenerbahces do të nxirren në ankand, ndërsa të gjitha të ardhurat do t’i dedikohen mbështetjes së popullit të Nepalit përmes programeve të World Food Programme.
Edhe tifozët do të kenë mundësi të kontribuojnë përmes platformës ShareTheMeal, e cila përdoret nga WFP për të mbledhur fonde dhe për të ofruar ushqim e ndihmë për njerëzit në nevojë.
Kjo nismë vjen në një javë kur edhe UEFA ka vendosur që para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve të mbahet një minutë heshtje në nderim të viktimave të katastrofës në Nepal, ndërsa në stadiume do të shfaqet mesazhi: “You are not alone, Nepal”./Telegrafi/






