I këqyr punët e mia

opinion

E themi si lavd. Dhe, shpeshherë është. Por, te ne, “punët e mia” zakonisht mbarojnë te dera e shtëpisë. Brenda asaj dere, bëjmë shumë. Punojmë, kursejmë, heqim dorë nga kënaqësitë tona dhe përpiqemi që familjes t’ia bëjmë jetën më të mirë. Prindi kosovar mundohet t’u krijojë fëmijëve mundësitë që vetë nuk i ka pasur. Nëse […]

Madhësia e shkronjave

E themi si lavd. Dhe, shpeshherë është. Por, te ne, “punët e mia” zakonisht mbarojnë te dera e shtëpisë.

Brenda asaj dere, bëjmë shumë. Punojmë, kursejmë, heqim dorë nga kënaqësitë tona dhe përpiqemi që familjes t’ia bëjmë jetën më të mirë. Prindi kosovar mundohet t’u krijojë fëmijëve mundësitë që vetë nuk i ka pasur. Nëse mundet, ua paguan kurset, sportin, u ndihmon me banesë, pronë apo me një fillim më të lehtë në jetë.

Por, a mbarojnë vërtet punët tona te dera?

A janë vetëm shtëpia, puna, të ardhurat, prona dhe shkollimi i fëmijëve? Apo, pjesë e tyre janë edhe shkolla ku ata do të mësojnë, spitali ku prindërit tanë mund të trajtohen, gjykata ku një ditë mund të kërkojmë drejtësi, ajri që thithim dhe shoqëria në të cilën do ta kalojmë jetën?

Sado që të përpiqemi, nuk mund ta ndërtojmë një jetë krejtësisht të mirë vetëm brenda mureve të shtëpisë.

Ambicia individuale në Kosovë është e fuqishme. Pyetja është pse nuk e kemi ruajtur me të njëjtën forcë edhe ambicien për atë që e ndajmë bashkë.

Një pjesë e mënyrës si e shohim sot shtetin ndoshta lidhet edhe me trashëgiminë e sistemeve komuniste. Për dekada, shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri jetuan nën sisteme të ashpra ku jeta politike dhe çështjet publike kontrolloheshin nga Partia. Në ato rrethana, qytetari u mësua se punët e mëdha të shtetit nuk ishin çështje të tij. Ai merrej me punën dhe familjen e vet, ndërsa për pjesën tjetër kujdesej Partia.

As politika kosovare pas luftës nuk ka bërë gjithmonë mjaftueshëm për ta ndryshuar këtë raport. Përkundrazi, partitë shpesh e kanë trajtuar shtetin si hapësirë të tyre, ndërsa qytetarit i ka mbetur kryesisht roli që të zgjedhë, të kërkojë një shërbim apo të ankohet kur diçka nuk funksionon. Me kalimin e kohës, kjo e ka ushqyer bindjen se shteti është punë e politikanëve, ndërsa jeta jonë fillon dhe përfundon te familja dhe prona.

Por, historia jonë më e afërt tregon se nuk kemi qenë gjithmonë të tillë.

Kur shqiptarët e Kosovës u përjashtuan dhunshëm nga institucionet në vitet ’90 të shekullit XX, e përbashkëta u bë përsëri punë e secilit. U organizua mësimi në shtëpi dhe objekte fetare, u mbajtën gjallë arsimi, kultura, sporti dhe një pjesë e madhe e jetës shoqërore. Familjet hapën shtëpitë, mësimdhënësit vazhduan punën, nxënësit vijuan mësimin, sportistët vazhduan garat dhe njerëzit kontribuuan për një sistem paralel që e konsideronin të tyrin.

Më vonë, kur rezistenca mori një formë tjetër, po kjo shoqëri arriti të organizojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Njerëz nga vende, profesione dhe familje të ndryshme u bashkuan rreth një qëllimi të përbashkët, ndërsa mijëra familje brenda Kosovës dhe në mërgatë e mbështetën atë me njerëz, mjete dhe sakrificë. Edhe ky ishte një moment kur interesi personal u tejkalua për diçka që konsiderohej më e madhe dhe e përbashkët.

Edhe pas luftës, kur institucionet e reja kishin mundësi shumë të kufizuara, në shumë zona qytetarët kontribuuan bashkë me shtetin për ndërtimin e rrugëve dhe projekteve lokale. Banorët jepnin pjesën e tyre dhe shpesh i përcillnin punimet, sepse e konsideronin atë investim si punë të vetën.

Pra, ne dimë ta shohim të përbashkëtën si punë tonën. Në rrethanat më të vështira kemi ditur të organizohemi, të sakrifikojmë dhe të ndërtojmë kur kemi besuar se një çështje na përket të gjithëve.

Atëherë pyetja është se ku na mbeti ky vullnet pasi e fituam shtetin.

Ndoshta, pasi krijuam institucionet tona, filluam ta shohim të përbashkëtën si punë të dikujt tjetër, të qeverisë, komunës, partive apo politikanëve.

Por, shteti nuk është jashtë jetës sonë. Ai u duhet sot prindërve tanë, na duhet neve dhe do t’u duhet nesër fëmijëve tanë. Prindërit tanë po plaken dhe gjithnjë e më shumë varen nga shëndetësia, pensionet dhe institucionet që duhet t’u ofrojnë shërbime me dinjitet. Ne do të vazhdojmë të punojmë, të bëjmë biznes, të kërkojmë drejtësi dhe, me kalimin e viteve, edhe vetë do të varemi më shumë nga cilësia e shtetit ku jetojmë.

Prandaj, nëse dua një jetë të mirë për veten dhe familjen time, nuk mund të më interesojë vetëm ajo që kam arritur të ndërtoj privatisht. Duhet të më interesojë edhe vendi ku do ta jetoj atë jetë.

Kujdesi për familjen dhe kujdesi për vendin nuk janë dy gjëra të ndara. Në shumë raste janë pjesë e të njëjtit interes.

Ne dimë të kërkojmë më shumë për veten dhe familjen tonë. Duhet të mësojmë të kërkojmë më shumë edhe për Kosovën, jo vetëm kur problemi na prek personalisht, por edhe kur ende nuk ka mbërritur te dera jonë.

Përgjegjësia për shtetin nuk mund t’u mbetet vetëm qeverive, partive dhe njerëzve që merren me politikë. Ata kanë përgjegjësinë kryesore për drejtimin e institucioneve, por shteti nuk ndërtohet vetëm në zyrat e tyre.

Shteti është punë shumë serioze për t’ua lënë vetëm politikanëve. Ai ndërtohet edhe nga standardet që kërkojmë si qytetarë, nga ajo që pranojmë si normale dhe nga ajo që nuk jemi më të gatshëm ta tolerojmë.

Këtu kemi arsye për optimizëm, sepse nuk kemi nevojë ta bindim veten se mundemi. E kemi dëshmuar tashmë disa herë gjatë historisë.

Nëse kemi ditur të organizojmë arsim pa shkolla, institucione pa shtet dhe një ushtri çlirimtare në kushte pushtimi, e më pas të kontribuojmë vetë në ndërtimin e vendit, atëherë dimë dhe mundemi edhe të ndërtojmë një shtet më funksional në liri.

Na duhet ta rikthejmë atë ndjenjë se e përbashkëta është edhe punë e jona. Jo më për të mbijetuar si shoqëri, siç na është dashur dikur, por për të jetuar më mirë në shtetin që e kemi sot.

Sepse, Kosova ku po plaken prindërit tanë, ku po jetojmë ne dhe ku do të rriten fëmijët tanë është edhe punë e jona.

Nëse jemi të gatshëm të punojmë më shumë, të heqim dorë nga kënaqësitë tona dhe të sakrifikojmë për një jetë më të mirë të familjes, atëherë një pjesë të së njëjtës përgjegjësi duhet ta shtrijmë edhe te vendi ku ajo familje jeton.

Në fund, shumë prej gjërave për të cilat sakrifikojmë privatisht varen nga ajo që arrijmë të ndërtojmë bashkë.