Një turist britanik 58-vjeçar është arrestuar në Turqi, pasi dyshohet se ka pështyrë mbi flamurin turk pas një debati me stafin e hotelit ku po qëndronte.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në Alanya, pranë qytetit turistik të Antalyas, në jug të Turqisë. Sipas raportimeve të mediave lokale, britaniku ishte përfshirë në një debat me punonjësit e hotelit, përpara se të kthehej dhe, dyshohet, të pështynte mbi një flamur turk të vendosur pranë recepsionit.
Stafi i hotelit njoftoi policinë, e cila e ndaloi turistin dhe e dërgoi në gjykatën e Alanyas. Atje, ai u arrestua zyrtarisht nën akuzën për fyerje ose poshtërim të një simboli të shtetit turk.
Burri u la në paraburgim dhe më pas u transferua në një burg në periferi të qytetit.
Nuk është bërë e ditur se kur ka ndodhur saktësisht incidenti, transmeton Telegrafi.
Legjislacioni turk parashikon masa të rrepta për fyerjen publike të flamurit kombëtar. Sipas nenit 300 të Kodit Penal të Turqisë, mosrespektimi publik i flamurit turk përbën vepër penale dhe mund të dënohet me deri në tre vjet burgim.
Ky nuk është rasti i parë në të cilin një turist i huaj përballet me autoritetet turke për shkak të sjelljes ndaj simboleve kombëtare.
Në gusht të vitit 2025, prokurorët nisën një hetim penal ndaj një turisteje të huaj, pasi ajo kishte realizuar një performancë “pole dance” në një shtyllë flamuri turk në Kapadoki dhe më pas e kishte publikuar videon në rrjetet sociale. Nuk është bërë e qartë se cili ishte përfundimi i këtij rasti.
Arrestimi i 58-vjeçarit është rasti më i fundit që përfshin një shtetas britanik në Turqi.
Më herët gjatë këtij viti, një çift i ri britanik u arrestua pasi u akuzua për kontrabandimin e dy valixheve të mbushura me kanabis drejt Britanisë së Madhe.
Holly Cooper dhe i dashuri i saj Taylor Johnson, të dy 20 vjeç, raportohet se u arrestuan vetëm pak minuta pasi mbërritën në Stamboll me një fluturim nga Tajlanda, në muajin maj.
Oficerët i ndaluan për t’i marrë në pyetje teksa çifti po përpiqej të kapte fluturimin e lidhjes drejt Londrës.
Sipas familjes së Johnson, ai dhe Cooper më pas u dërguan në një qeli të mbipopulluar, ku Johnson dyshohet se u dhunua nga persona të tjerë të ndaluar.
Pas një seance gjyqësore, çifti u arrestua zyrtarisht dhe u transferua në burg, ku mund të presë deri në një vit përpara fillimit të gjyqit.
Çifti gjithashtu nuk ka avokatë privatë dhe do të përfaqësohet nga mbrojtës të caktuar nga shteti.
Në përpjekje për t’i ndihmuar, miqtë e tyre kanë nisur një fushatë GoFundMe për mbledhjen e fondeve, ndërsa të dy vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Turqi.
Nëse shpallen fajtorë, Cooper dhe Johnson përballen me një dënim minimal prej 10 vitesh burg, ndërsa maksimumi mund të arrijë deri në 30 vjet. /Telegrafi/






