Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor 2026, ka nxitur reagime të shumta dhe ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Rasti ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar raportimet e saj dhe nëse janë ndërmarrë masat e nevojshme për ta mbrojtur.
Sipas informacioneve të bëra publike, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë nga institucionet, ndërsa më 22 tetor i kishte drejtuar një shkresë Prokurorisë në Pejë, ku kishte shprehur shqetësimin se mund të përfundonte duke humbur jetën pa u mbajtur askush përgjegjës.
Më 25 tetor, ajo u vra në Vitomiricë, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunën në familje.
Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për trajtimin e rasteve të raportuara nga Zekaj, ka autorizuar analizimin e veprimeve të Prokurorisë dhe i ka kërkuar Inspektoratit Policor të Kosovës të verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e saj.
Në këtë livefeed, ndiqni zhvillimet e fundit, reagimet institucionale dhe ecurinë e hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.
26/10/2026 10:43- IKD kërkon hetim të plotë për vrasjen në Vitomiricë dhe përgjegjësi për institucionet
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv për vrasjen e gruas në Vitomiricë të Pejës, si dhe për veprimet apo mosveprimet e institucioneve që e kishin trajtuar rastin.
IKD kërkon që hetimi të përfshijë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndërsa për shkeljet eventuale të ketë përgjegjësi penale, disiplinore dhe administrative.
Instituti gjithashtu u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të nisin hapa konkretë për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë dhe ka ofruar ndihmë juridike falas për familjen e viktimës.
26/10/2026 10:43- Vrasja e Arlinda Zekajt, në Komisionin për të Drejtat e Komuniteteve kërkohet drejtësi
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila, tri ditë para se të vritej, kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun me të cilin përballej.
Haxhiu, në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, tha se rasti është dëshmi e dështimit të shtetit, duke kërkuar nga deputetët që të mos presin vetëm gratë të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi.
Ndërkaq, zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Fahrush Rexhepi, shprehu dhimbje dhe shqetësim për rastin, duke thënë se problemet në shoqëri janë të shumta dhe se nevojitet kontribut i përbashkët për përmirësimin e gjendjes.
26/10/2026 10:32- Vrasja e Arlinda Zekajt, Muhaxheri kërkon verifikim të plotë të veprimeve institucionale
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, komuna ka kërkuar verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet kanë pasur lidhur me rastin.
Përmes një postimi në Facebook, Muhaxheri ka shprehur ngushëllime për familjen e Zekajt, duke e cilësuar rastin si alarm për shoqërinë dhe mekanizmat institucionalë.
26/10/2026 10:31- Kryeprokurori kërkon raport për rastet e Arlinda Zekajt, paralajmëron masa nëse konstatohen shkelje
Kryeprokurori i Shtetit ka ndërmarrë veprime për të shqyrtuar trajtimin institucional të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.
Përmes një njoftimi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se është autorizuar koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku viktimë ishte Zekaj.
Po ashtu, kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, i është kërkuar raport i detajuar me shkrim për mënyrën se si janë trajtuar rastet e të ndjerës.
26/10/2026 10:31- Presidentja reagon pas vrasjes në Vitomiricë, kërkon përgjegjësi institucionale
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për rastin.
Ajo u ka bërë thirrje organeve kompetente që, përveç rrethanave të vrasjes dhe përgjegjësisë penale të personave të dyshuar, të hetojnë edhe mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e viktimës dhe veprimet e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin atë.
26/10/2026 10:30- Gjini kërkon arrestime e dorëheqje pas vrasjes së Arlindës: Ndryshe, institucionet janë spektatore të krimit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Gjini ka veçuar mesazhin që Zekaj i kishte dërguar Prokurorisë në Pejë tri ditë para se të vritej.
“Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, citoi Gjini mesazhin e viktimës.
26/10/2026 10:29- Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se duhet të shqyrtohen edhe veprimet e institucioneve, pasi viktima kishte denoncuar dhunën në familje pak para se të vritej.
Haxhiu përmes një njoftimi për media ka thënë se është thellësisht e tronditur nga vrasja e Zekajt, e cila, sipas saj, u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte raportuar dhunën në familje.
26/10/2026 10:28- Avokatja e Arlindës kishte dorëzuar ankesë disiplinore ndaj prokurores, thotë se shteti e vrau
Avokatja Adelina Hoxha, e cila përfaqësonte tani më të ndjerën Arlinda Zekajn në çështjet që lidheshin me dhunën në familje dhe kontestin për fëmijën e saj, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës.
Në një deklaratë për Telegrafin, Hoxha ka thënë se përgjegjësia për këtë tragjedi nuk duhet të shihet vetëm përmes autorit të dyshuar të vrasjes, por edhe përmes mënyrës se si institucionet i trajtuan kërkesat e Arlindës për ndihmë.
“Mundem me thanë shkurt që shteti e ka vra. Prokurorja s’e ka ushtru detyrën e vet”, është shprehur Hoxha.
26/10/2026 10:27- Abdixhiku për vrasjen e Arlinda Zekajt: I detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë, tani i detyrohemi drejtësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit të saj.
Abdixhiku ka thënë se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.
26/10/2026 10:26- Reagime të ashpra pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Kush do të japë llogari?
Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësuese politike dhe aktiviste, të cilat kanë kërkuar hetim urgjent dhe përgjegjësi institucionale për rrethanat që i paraprinë vdekjes së saj.
U.d e kryetares së Partisë Demoratike të Kosovës, Vlora Çitaku, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, asamblistja e Partisë Socialdemokrate (PSD) në Deçan dhe ish-kandidatja e kësaj partie për kryetare të komunës, Natyra Kuçi, ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj dhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani kanë reaguar publikisht pas rastit tragjik.
26/10/2026 10:25- “Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan”, fjalët tronditëse që la vetë Arlinda Zekaj tri ditë para se të vritej
Arlinda Zekaj kërkoi drejtësi vetëm tri ditë para se t’i merrej jeta. Sot, pyetja që rëndon mbi institucionet është: a u dëgjua zëri i saj kur ende mund të bëhej diçka për ta mbrojtur?
Arlinda Zekaj u vra mbrëmë rreh orës 21:10 në Vitomiricë të Pejës. Sipas informacioneve të bëra publike, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili raportohet se ndodhet ende në arrati.
Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
26/10/2026 10:24- E vrau me mjet të fortë kunatën në Vitomiricë të Pejës, i dyshuari ende në arrati
Pas vrasjes së rëndë dhe tragjike ku mbeti e vdekur një grua e cila ngjarje ndodhi mbrëmjen e së dielës rreth orës 21:10 i dyshuari ende ndodhet në arrati.
Sipas njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
“Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, thuhet në njoftim.
26/10/2026 10:22- Arlinda Zekaj kërkoi llogaridhënie tri ditë para vrasjes, Prokuroria konfirmon se nisi shqyrtimin e parashtresës
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht, tri ditë pasi kishte adresuar shqetësimet e saj te institucionet përgjegjëse.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, përmes parashtresës, Zekaj kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar për dështime në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftim.
26/10/2026 10:21- “Mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, letra rrëqethëse e Arlinda Zekajt, tri ditë para vrasjes
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj ia drejtoi Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes një letre të siguruar nga Sinjali, e që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës.
Në letrën e publikuar në fotografi, viktima kishte kërkuar marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre.
26/10/2026 10:17- Vritet një grua në Vitomiricë të Pejës, policia: Autori dyshohet të jetë kunati i saj
Një grua është gjetur pa shenja jete të dielën mbrëma në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa Policia e Kosovës po heton rastin si vrasje të dyshuar.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat. Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar. Po ashtu, ishte arrestuar dhe intervistuar bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.
Pas intervistimit, viktima, me vullnetin e saj, ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Megjithatë, rreth orës 21:10, Policia është njoftuar se e njëjta grua ishte gjetur pa shenja jete.