“Nuk ka kohë të presë”, legjenda e Man Utd i dërgon paralajmërim të frikshëm Carrickut

Sport

Wayne Rooney ka dhënë një paralajmërim të fortë për ish-bashkëlojtarin e tij, Michael Carrick, duke lënë të kuptohet se trajneri i Manchester Unitedit tashmë është nën presion të madh pas startit zhgënjyes të sezonit. Legjenda e “Djajve të Kuq” beson se drejtuesit e klubit nuk do të tolerojnë rezultate mediokre, pavarësisht faktit se Unitedi nuk […]

Madhësia e shkronjave

Wayne Rooney ka dhënë një paralajmërim të fortë për ish-bashkëlojtarin e tij, Michael Carrick, duke lënë të kuptohet se trajneri i Manchester Unitedit tashmë është nën presion të madh pas startit zhgënjyes të sezonit.

Legjenda e “Djajve të Kuq” beson se drejtuesit e klubit nuk do të tolerojnë rezultate mediokre, pavarësisht faktit se Unitedi nuk arriti ta përforconte mbrojtjen gjatë afatit kalimtar të verës. Rooney ka shprehur shqetësimin për të ardhmen e Carrickut dhe ka insistuar se trajneri duhet të sjellë rezultate menjëherë, në vend që të presë afatet e ardhshme kalimtare për të zgjidhur problemet e dukshme të skuadrës.

Manchester Unitedi ka pasur një fillim të lëkundur në Premier League, ndërsa pas tri ndeshjeve të para kishte grumbulluar vetëm katër pikë dhe kishte pranuar gjashtë gola. Pas barazimit 2-2 ndaj Evertonit, presioni ndaj Carrickut është shtuar edhe më shumë.

Duke folur në podcastin “Stick to United”, Rooney foli hapur për presionin e jashtëzakonshëm që shoqëron postin e trajnerit të Manchester Unitedit.

“Nëse je trajner i Manchester Unitedit, e di presionin që vjen me këtë detyrë dhe në ditët e sotme nuk ke shumë kohë në dispozicion”, deklaroi ish-sulmuesi.

“Duhet të shtysh sa më shumë, madje edhe më fort, për të sjellë lojtarë, sepse nuk dëshiron që pas gjashtë apo 12 muajsh të jesh në një situatë ku thua: ‘E dini çfarë? Duhej ta kisha bërë’”.

Rooney pranoi se Unitedi nuk është ende në nivelin për të synuar trofeun e Ligës së Kampionëve, duke e krahasuar procesin e rindërtimit me atë që kaloi Arsenali nën drejtimin e Mikel Artetës.

“A duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve? Sigurisht që po. Por, sa i përket këtij procesi nëpër të cilin po kalojmë për t’u rikthyer atje, duhet ta pranojmë se ende nuk jemi në atë nivel”.

“Arsenali e ka kaluar këtë proces gjatë pesë viteve të fundit me Artetën dhe e keni parë progresin nga viti në vit.

Rooney nuk u bind as nga deklaratat e Carrickut se është i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion.

“E di që Michael ka dalë dhe ka thënë se është i kënaqur me lojtarët që kanë. Nuk mendoj se ndonjë trajner është i kënaqur”.

“Ai duhet të dalë dhe të thotë gjërat e duhura. Sigurisht… këtë e bën çdo trajner. Por ai nuk ka kohë të presë deri vitin e ardhshëm. Nuk mund të ulet dhe të thotë: ‘Mirë, do të pres deri vitin tjetër dhe pastaj do ta rregulloj mbrojtjen’”.

“Po shihni gjithnjë e më shumë pronarë amerikanë që duan sukses menjëherë”, përfundoi ai./Telegrafi/