Në rast që Malisheva e ngritë nivelin dhe ka konsistencë nga ndeshja në ndeshje edhe mund ta fitojë epitetin e kampionit të Kosovës, kështu ka deklaruar ylli më në formë Kreshnik Uka gjatë një interviste për Telegrafin.
31-vjeçari është ambientuar shpejtë te skuadra e Thomas Bradric që kur iu bashkua nga Prishtina, ku menjëherë ka nisur ta bëjë dallimin me gola. Në vetëm tetë paraqitje, ai tashmë e ka tundur rrjetën plot shtatë herë, pra përfshirë ndeshjet në elitën kosovare dhe kualifikueset për Evropë.
Malisheva ishte e pafat në Evropë, ku pasi eliminoi Vllazninë e Shkodrës, shorti iu ra me Hibernianin, ku pësuan disfatë me rezultat të përgjithshëm 4-3 nga dy ndeshjet.
Sidoqoftë, ata kanë treguar krejt tjetër nivel në Superligën e Kosovës. Brenda katër xhirove të para, Malisheva është lider me 10 pikë, ndërsa ende nuk e dinë “shijen” e humbjes.
Uka i ka dhënë lvëdata lojtarëve dhe trajnerëve për këtë formë që po kalojnë, derisa shtoi se duhet ta mbajnë këtë ritëm.
“Kam filluar mjaft mirë sezonin me gola duke i ndihmuar skuadrës, momentalisht është një edicion interesant dhe pse është herët të vlerësohet”.
“Padyshim që meritë është e lojtarëve dhe e gjithë stafit të trajnerëve. Besoj që duhet ta mbajmë këtë ritëm edhe më tutje”, vazhdoi ai për Telegrafin.
Përkundër formës fantastike, Malisheva objektivin kryesor e ka daljen në Evropë, pavarësisht që Uka shpreson në diçka më shumë.
“Normal, objektivi kryesor është dalja në Evropë, por pse jo edhe titulli kampion”.
“Nëse e rrisim nivelin e paraqitjeve nga loja në lojë, me ndihmën e Zotit mund të shpallemi edhe kampion”.
Uka ndër të tjera komentoi edhe ndeshjen ndaj Hibernian. Aty, Malisheva shënoi fitore historike 2-0 në Prishtinë, megjithatë në ndeshjen kthyese skuadra skoceze tregoi kualitetin milionësh për të fituar me rezultat 4-1 dhe avancuar tutje.
“Ka qenë ekip i madh si Hibernian. Në ndeshjen e parë kemi pas rezultat pozitiv, ndërsa në ndeshjen e dytë kemi mundur të paraqitemi më mirë, mirëpo po e them se ata janë skuadër me vlerë shumë më të madhe sesa ne dhe besoj kjo e ka bërë dallimin mes dy ekipeve”.
I pyetur në fund për objektivin personal, ish-ylli i Prishtinës ishte i qartë: “Ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të mundem me paraqitje të mira dhe pse jo me gola e asistime”./Telegrafi/






