Real Madridi e nisi aventurën në Ligën e Kampionëve me një fitore 2-1 ndaj Interit, por jo të gjithë tifozët e “Los Blancos” mbetën të kënaqur. Skuadra madrilene krijoi shumë raste të pastra shënimi, por në fund iu desh të përjetonte momente ankthi për të ruajtur fitoren.
Legjenda e Real Madridit, Raul Gonzalez, bëri debutimin e tij si analist në Movistar, ku analizoi fitoren ndaj Interit.
“Gjëja më e rëndësishme është se morëm tri pikët. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse Interi është një skuadër me një strukturë shumë të konsoliduar, ndërsa Real Madridi pati mungesa në mesfushë.”

“Golët e Madridit erdhën pas gabimeve të Interit në ndërtimin e aksioneve. Më pas ne krijuam raste shumë të pastra, ndërsa goli i Interit krijoi disa dyshime në fund, por është një rezultat i mirë për ta nisur sezonin.”
Më pas, transmetimi kaloi drejtpërdrejt në ‘Santiago Bernabeu’, sipas Marca, ku trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, po priste për të dhënë vlerësimin e tij për ndeshjen në të njëjtin kanal.
Dikush ia përcolli Mourinhos analizën e Raul Gonzalezit. Trajneri portugez u duk dukshëm i irrituar, ndërsa shikoi drejt e në kamerë dhe tha: “Nuk ishte vetëm kritikë, ne bëmë edhe disa gjëra të mira”.
Mourinho, i cili gjatë disa momenteve kaloi edhe në gjuhën italiane, vazhdoi më pas me analizën e tij për ndeshjen.
“Unë do të preferoja ta quaja një ndeshje të çmendur. Ka shumë kritika kur një ndeshje është e mërzitshme, por kjo ishte e çmendur”.
“Lehtësisht mund të kishte përfunduar 7-6. Mesfusha jonë ishte e dobët, ata bënë ndryshime shumë herët dhe unë nuk kisha shumë alternativa në qendër të fushës”, përfundoi ai./Telegrafi/





