Java e pestë e Albi Mall Superligës së Kosovës vazhdon sot (e mërkurë), me dy përballje interesante, në të cilat skuadrat do të kërkojnë pikë të rëndësishme.
Në përballjen e parë në Drenas, Feronikeli do ta presë Dritën. Vendasit janë ende në kërkim të pikëve të para këtë sezon, pasi pas katër ndeshjeve të zhvilluara kanë pësuar katër humbje.
Në anën tjetër, Drita do të udhëtojë në Drenas me një bilanc prej dy fitoreve dhe një barazimi. Gjilanasit kanë zhvilluar vetëm tri ndeshje deri më tani, pasi ndeshja ndaj Prishtinës është shtyrë, duke bërë që ata të kenë një takim më pak të zhvilluar.
Drita synon të vazhdojë serinë pozitive dhe të marrë pikë të plota, ndërsa Feronikeli do të kërkojë të reagojë para tifozëve të tij dhe t’i japë fund serisë së rezultateve negative.
Kjo përballje do të nis me fillim nga ora 16:00.
Në të njëjtën kohë, në Gjilan zhvillohet derbi i madh mes Gjilanit dhe Ballkanit, një përballje që pritet të sjellë emocione dhe rivalitet të madh.
Gjilani e pret këtë ndeshje pas një starti të përzier të sezonit, me dy fitore, një barazim dhe një humbje në katër ndeshjet e para.
Në anën tjetër, Ballkani e nisi sezonin me humbje ndaj Prishtinës, por më pas reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke regjistruar tri fitore radhazi. Therandasit synojnë ta vazhdojnë këtë seri edhe në Gjilan dhe të marrin një tjetër rezultat të rëndësishëm në garën për kreun e tabelës.
Kjo ndeshje do të luhet nën ndriçimin e reflektorëve dhe pritet të fillojë nga ora 19:00./Telegrafi/






