Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se Komuna ka nënshkruar Marrëveshjen e Grantit në vlerë prej 2 milionë e 30 mijë eurosh për realizimin e projekteve të banimit social.
Marrëveshja është nënshkruar me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.
Sipas Hysenit, në Gjilan do të realizohen gjithsej 33 njësi banimi, përfshirë 25 njësi të reja të banimit social, renovimin e dy shtëpive private dhe rindërtimin e gjashtë shtëpive private.
Hyseni e ka cilësuar këtë si një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. /Telegrafi/






