Ahmeti për pavarësinë e Maqedonisë së Veriut: Ta ruajmë atë që kemi ndërtuar së bashku

Rajon

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar 35-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment për të reflektuar mbi rrugën e ndërtimit të shtetit dhe mbi të ardhmen që duhet t’u lihet gjeneratave të reja. Në mesazhin e tij, Ahmeti thekson se […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar 35-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment për të reflektuar mbi rrugën e ndërtimit të shtetit dhe mbi të ardhmen që duhet t’u lihet gjeneratave të reja.

Në mesazhin e tij, Ahmeti thekson se shteti nuk është ndërtuar vetëm nga një komunitet dhe se për një periudhë të gjatë shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë nuk janë ndier të barabartë në raport me institucionet shtetërore.

Ai i referohet ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, mënyrës së ndërtimit të rendit kushtetues në fillim të viteve ’90 dhe përjashtimit të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset vendimtare të krijimit të shtetit, duke i cilësuar këto zhvillime si faktorë që krijuan një hendek të thellë ndërmjet shtetit dhe një pjese të qytetarëve.

“Ky ishte një padrejtësi historike, por edhe një model i paqëndrueshëm shtetëror”, shprehet Ahmeti.

Sipas tij, konflikti i vitit 2001 ishte përballje me këtë realitet, ndërsa Marrëveshja Paqësore e Ohrit shënoi një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të shtetit.

Ahmeti vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk ndryshoi vetëm disa dispozita kushtetuese, por ndryshoi filozofinë e funksionimit të shtetit, duke e zhvendosur atë nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimeve të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.

“Shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan se do ta ndërtojnë bashkë këtë shtet”, thuhet në mesazhin e tij.

Duke folur për periudhën pas vitit 2001, Ahmeti thekson se integrimi i një komuniteti që për dekada ishte mbajtur larg institucioneve, administratës, kulturës, arsimit dhe jetës publike kërkonte reforma, përpjekje politike dhe ndryshim të mendësisë.Në këtë kontekst, ai vlerëson edhe rolin e BDI-së, duke thënë se integrimi i shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë është parë si pjesë e ndërtimit të një shteti më funksional, demokratik dhe të barabartë.

Sipas Ahmetit, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, rezultatet e saj nuk duhet t’i atribuohen vetëm një komuniteti apo një partie, pasi ato janë pjesë e transformimit të vetë shtetit.

“Marrëveshja e Ohrit e forcoi shtetin unitar duke e bërë atë më demokratik. E bëri më të qëndrueshëm duke e bërë më gjithëpërfshirës. Dhe krijoi një bazë mbi të cilën vendi vazhdoi rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shprehet ai.

Ahmeti paralajmëron gjithashtu ndaj përpjekjeve për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si kërcënim për shtetin, duke i cilësuar ato si kthim pas në një debat të cilit, sipas tij, historia tashmë i ka dhënë përgjigje.

Në mesazhin e tij, ai shpreh shqetësim për atë që e konsideron si përjashtim në përfaqësim, pengesa në përdorimin e gjuhëve, mospërfshirje në kulturë dhe në jetën publike, si dhe përpjekje për të minuar ose relativizuar parimet mbi të cilat është ndërtuar paqja.

“Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia. Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar”, thekson Ahmeti.

Ai e përshkruan vizionin e tij për Maqedoninë e Veriut si një shtet të të gjithë qytetarëve, unitar, demokratik dhe evropian, të ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë.

Ahmeti thekson se shqiptarët kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin dhe forcimin e shtetit, por shton se nevojitet vullnet i përbashkët që çdo qytetar ta ndiejë vendin si të vetin dhe çdo komunitet ta shohë veten të përfaqësuar në institucionet e tij.

Në fund të mesazhit, Ahmeti u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë të arriturat e përbashkëta dhe të vazhdojnë përpara drejt integrimit evropian.

“Ta ruajmë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe ta çojmë përpara. Të mos kthehemi te politikat që ndajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon”, shprehet ai.