KRM “Pastrimi” ka paralajmëruar se projekti strategjik në vlerë prej rreth 74 milionë eurosh për menaxhimin e mbeturinave në Rajonin e Prishtinës rrezikon të mos realizohet, pasi sipas ndërmarrjes, Ministria e Financave nuk ka proceduar me nënshkrimin e marrëveshjeve të financimit me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).
Në një njoftim për media, KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se ka pranuar informacion zyrtar për mosvazhdimin e procedurave për fillimin e grantit dhe vazhdimin e projektit.
Sipas ndërmarrjes, projekti financohet përmes Bashkimit Evropian dhe KfW-së dhe synon të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin modern të mbeturinave.

Projekti prek drejtpërdrejt gjashtë komuna dhe mbi 500 mijë qytetarë e biznese, të cilëve KRM “Pastrimi” u ofron shërbime për grumbullimin e mbeturinave.
Ndërmarrja thotë se gjatë viteve të fundit ka punuar në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe operativ, si dhe në ngritjen e besueshmërisë institucionale, duke kaluar nga një situatë me bilanc negativ në bilanc pozitiv operativ.
KRM “Pastrimi” ka theksuar se rreth 24.1 milionë euro nga vlera totale e projektit janë të zotuara prej më shumë se dy vitesh, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një proces të avancuar dhe të përgatitur ndër vite.
Sipas kompanisë, mosnënshkrimi i marrëveshjeve të financimit rrezikon investime të rëndësishme në sistemin e menaxhimit të mbeturinave.
Ndër to përfshihen ndarja e mbeturinave në burim dhe zhvillimi i sistemit të riciklimit, blerja e mbi 100 kamionëve të rinj, rreth 10 mijë kontejnerë të rinj, si dhe investime kapitale në objekte dhe infrastrukturë për gjashtë komuna.
KRM “Pastrimi” ka vlerësuar se një mosrealizim eventual i projektit do të ishte goditje jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për qytetarët, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e tij.
Ndërmarrja ka kërkuar angazhim institucional për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte vazhdimin e projektit.





