Pas kërkimeve intensive, është gjetur 80-vjeçari Hamëz Ismali nga Ferizaj, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga 17 gushti.
Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, e cila njoftoi se kërkimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe ekipet e angazhuara për gjetjen e tij.

Sipas njoftimit, Ismali është gjetur në Tiranë dhe aktualisht ndodhet në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
“Shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet sa më shpejt dhe që së shpejti të rikthehet pranë familjes dhe në shtëpinë e tij”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.
Shoqata ka falënderuar Policinë e Kosovës, Policinë e Shqipërisë, si dhe qytetarët, institucionet dhe të gjithë personat që kontribuuan në gjetjen e 80-vjeçarit.
Rasti kishte nxitur kërkime për disa javë, ndërsa tash familjarët kanë marrë lajmin e shumëpritur për gjetjen e tij. /Telegrafi/





