Një mbrëmje kushtuar trashëgimisë shqiptare, krenarisë dhe bashkimit është mbajtur më 20 nëntor në New York, ku pjesëtarë të komunitetit të policisë shqiptare kanë festuar historinë, kulturën dhe kontributin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktiviteti u organizua nga NYPD Illyrian Society në One Police Plaza, në New York, me pjesëmarrjen e personave që shërbejnë në zbatimin e ligjit dhe që kanë prejardhje shqiptare, shkruan Telegrafi.
Përmes një postimi, njëri prej pjesëmarrësve e cilësoi këtë si një mbrëmje krenarie, uniteti dhe vlerësimi për kontributin e vazhdueshëm të shqiptaro-amerikanëve në SHBA, veçanërisht të atyre që shërbejnë me nder dhe përkushtim në organet e zbatimit të ligjit.
Në postim u shpreh falënderim për NYPD Illyrian Society për organizimin e aktivitetit dhe angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare, nderimin e traditave dhe forcimin e komunitetit.
“Dy flamuj, një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, shërbimit dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në mesazhin e publikuar me këtë rast.
Në të njëjtin postim theksohet se ruajtja e trashëgimisë është jo vetëm lidhje me të kaluarën, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes, për të nderuar paraardhësit dhe për t’i përcjellë vlerat dhe identitetin shqiptar te brezat e rinj./Telegrafi/






