Jakup Krasniqi është kthyer në Hagë, pas përfundimit të vizitës katërditore në Kosovë, e cila ishte lejuar nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara për arsye humanitare.
Njoftimi për kthimin e tij është publikuar të shtunën nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, përmes një njoftimi në faqen zyrtare të gjykatës.
“Jakup Krasniqi u kthye sot në Hagë pas vizitës së urdhëruar nga Trupi Gjykues për arsye humanitare bindëse”, thuhet në njoftim.
Sipas Dhomave të Specializuara, kjo ishte vizita e 15-të e një personi të paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjykatësit për arsye humanitare dhe e organizuar nga vetë gjykata.
Krasniqi kishte arritur në Kosovë më 18 nëntor, pas miratimit të kërkesës për vizitë humanitare.
Jakup Krasniqi përfundon vizitën në Kosovë
Gjatë qëndrimit katërditor, ai ka qëndruar pranë familjes së tij në Prishtinë, ndërsa netët i kalonte në objektin e EULEX-it në Fushë Kosovë. Vizita është zhvilluar nën masa të veçanta sigurie.
Vizita ishte lejuar për shkak të arsyeve humanitare, ndërsa Dhomat e Specializuara nuk kanë dhënë detaje të tjera në njoftimin për kthimin e tij.
Vizitat e tilla realizohen në bazë të rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara.
Kjo dispozitë parasheh mundësinë e vizitave në rrethana të veçanta humanitare, duke u bazuar edhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e personave të privuar nga liria.
Jakup Krasniqi u arrestua nga Gjykata Speciale më 4 nëntor 2020. Më 16 shtator të këtij viti, ish-zëdhënësi i UÇK-së u dënua me 25 vjet burg nga Dhomat e Specializuara.
Sipas vendimit, Krasniqi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9). /Telegrafi/






