Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për rritjen e çmimeve të transportit ndërurban, që sipas tyre është një goditje e drejtpërdrejtë mbi studentët, punëtorët dhe familjet që çdo muaj e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbyllin buxhetin familjar.
Bileta Tetovë–Shkup është shtrenjtuar nga 200 në 250 denarë për një drejtim, plot 25 për qind. Udhëtimi vajtje-ardhje tanimë kushton 500 denarë. Edhe linja Kumanovë–Shkup është shtrenjtuar nga 170 në 200 denarë për drejtim.
“Këto janë pasojat e mosveprimit në kohë të Qeverisë. Shtrenjtohen derivatet, paralajmërohet rritja e transportit, qytetarët alarmojnë, ndërsa pushteti pret. Kur dëmi bëhet fakt, fillojnë arsyetimet dhe premtimet se çështja do të “rishqyrtohet”.Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi me kohë se rritja e çmimeve të derivateve do të prodhonte një zinxhir të ri shtrenjtimesh dhe kërkoi masa parandaluese. Qeveria kishte në dispozicion instrumente konkrete, ulje të përkohshme të akcizës, ulje të TVSH-së për derivatet, subvencionim të transportit ose masa të tjera fiskale për ta amortizuar goditjen. Nuk ndërmori asgjë në kohë. Sot qytetarët po paguajnë çmimin e kësaj neglizhence.Edhe më skandaloz është qëndrimi ndaj studentëve. Ministrja e Arsimit deklaroi se subvencionimi i transportit për studentët për momentin nuk është prioritet.Atëherë shtrohet pyetja çfarë është prioritet për këtë qeveri nëse nuk janë interesat e studentëve, punëtorëve dhe qytetarëve në përgjithësi?”, thonë nga ASH.
Ata shtojnë se Izet Mexhiti mbi dy dekada në funksione të larta shtetërore, ndaj duhet të tregojë se çfarë ke bërë për të rinjtë dhe studentët.
“Prej vitit 2005 ka qenë tre mandate kryetar i Çairit, më pas deputet, në vitin 2024 u bë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër, ndërsa sot është përsëri kryetar i Çairit dhe një nga drejtuesit kryesorë të VLEN-it. Mbi dy dekada në funksione të larta shtetërore janë më se të mjaftueshme për të treguar çfarë ke bërë për të rinjtë dhe studentët.Dhe ekziston një fakt që e zhvesh krejt propagandën e VLEN-it.Në prill të vitit 2024, në faqen zyrtare të VLEN-it promovohej organizimi i transportit falas nga Gjermania dhe Italia për mërgimtarët që do të vinin në Maqedoninë e Veriut për ta mbështetur këtë koalicion në zgjedhje.Për votë kishte transport falas.Për studentin që udhëton çdo mëngjes në fakultet nuk ka subvencion.Për punëtorin që çohet herët dhe udhëton çdo ditë për të siguruar bukën e familjes ka biletë 25 për qind më të shtrenjtë.Kjo është fytyra e vërtetë e prioriteteve të këtij pushteti.Aleanca për Shqiptarët kërkon shpjegim publik dhe transparent për këtë shtrenjtim, pezullimin e rritjes së çmimeve deri në një analizë të plotë dhe masa konkrete për studentët dhe të punësuarit që varen nga transporti ndërurban, përfshirë subvencionimin e biletave.Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë.Studentët nuk duhet të përdoren vetëm për fotografi në fushata.Rinia nuk mbahet në vend me slogane. Rinia mbahet me kushte për të studiuar, punuar dhe jetuar me dinjitet.Pas mbi dy dekadash në politikë, Izet Mexhiti dhe njerëzit rreth tij nuk kanë të drejtë të kërkojnë më shumë kohë.Kohë kanë pasur mjaftueshëm. Sot është koha për llogari dhe atë duhet ta japin para qytetarëve”, thuhet në reagimin e ASH-së.






