Situatë alarmante në Pukë, Mali i Tërbunit përfshihet nga zjarret

Nacionale

Mali i Tërbunit është përfshirë nga zjarri gjatë pasdites së sotme, ndërsa flakët po përhapen në sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, të favorizuara nga erërat dhe kushtet e vështira të terrenit. Bashkia Pukë ka njoftuar se situata paraqitet alarmante, pasi terreni malor po vështirëson ndërhyrjen dhe depërtimin e mjeteve zjarrfikëse në zonat e prekura. Në terren […]

Madhësia e shkronjave

Mali i Tërbunit është përfshirë nga zjarri gjatë pasdites së sotme, ndërsa flakët po përhapen në sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, të favorizuara nga erërat dhe kushtet e vështira të terrenit.

Bashkia Pukë ka njoftuar se situata paraqitet alarmante, pasi terreni malor po vështirëson ndërhyrjen dhe depërtimin e mjeteve zjarrfikëse në zonat e prekura.

Në terren janë angazhuar strukturat e Bashkisë Pukë, Shërbimi Zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe punonjës të tjerë, të cilët po punojnë për kufizimin dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.

“Sot, në orët e mesditës, mali i Tërbunit është përfshirë nga zjarri, i cili, i favorizuar nga erërat dhe kushtet e terrenit, po përhapet në sipërfaqe të konsiderueshme, duke rrezikuar dhe djegur sipërfaqe pyjore”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Autoritetet lokale kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke u bërë thirrje banorëve, të rinjve dhe vullnetarëve që dëshirojnë të ndihmojnë, të koordinohen me strukturat përgjegjëse në terren.

Bashkia ka theksuar se çdo ndërhyrje nga qytetarët duhet të bëhet vetëm nën udhëzimet e ekipeve profesionale, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe sigurisë.

“Tërbuni është pasuri e Pukës, e jona të gjithëve. Në një moment kur flakët po kërcënojnë pyjet tona, le të bashkohemi me përgjegjësi, solidaritet dhe vullnet për ta mbrojtur këtë pasuri të jashtëzakonshme”, thuhet më tej në njoftim.

Për momentin, ekipet në terren po vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin e zjarrit, ndërsa ende nuk ka njoftime për dëme në banesa apo persona të lënduar./Telegrafi.