Fenerbahçe ka pësuar humbje në derbin e madh të Stambollit ndaj Besiktasit, duke u mposhtur 2-1 në kuadër të javës së katërt të Superligës së Turqisë.
Vedat Muriqi e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe qëndroi në fushë deri në minutën e 68-të, por kësaj radhe nuk arriti të lërë gjurmë në rezultat. Sulmuesi kosovar u zëvendësua kur rezultati ishte 1-1.
Kjo ishte humbja e parë e Fenerbahçes pas tri fitoreve radhazi, në të cilat Muriqi kishte shënuar nga një gol në secilën ndeshje.

Pas derbit, në kampin e Fenerbahçes ka pasur ankesa të shumta për gjykimin. Presidenti i klubit, Aziz Yildirim, ka kritikuar ashpër arbitrat dhe sistemin VAR, duke kërkuar drejtësi për skuadrën e tij.
“Nuk kemi bërë asnjë koment për katër javë. Në ndeshjen ndaj Gençlerbirligit nuk na janë dhënë dy penallti. Kemi humbur dhe nuk kemi thënë asgjë. Më pas ishte ndeshja me Konyasporin, ku pati edhe më shumë gabime të gjyqtarëve. Pastaj ishte faulli ndaj Vedatit në Samsun dhe një tjetër situatë ku nuk morëm penallti. Megjithatë, ne fituam dhe sërish thamë se gjërat do të përmirësoheshin”, ka deklaruar Yildirim.
Ai iu referua edhe derbit ndaj Besiktasit, duke pretenduar se Fenerbahçes nuk iu akorduan dy penallti.
“Tani kemi pasur gabime të tjera. Kemi luajtur keq dhe e urojmë Besiktasin. Por janë dy penallti që nuk na janë dhënë. Gjyqtari duhet të referojë atë që sheh. Edhe VAR-i është në gjumë”, ka shtuar presidenti i Fenerbahçes.
Yildirim ka shkuar edhe më tej me kritikat e tij, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e gjyqtarëve në futbollin turk.
“Nëse dikush nuk i manipulon, nëse nuk manipulohen nga prapa si lodra, atëherë të gjithë janë jokompetentë. Futbolli turk nuk do të shkojë askund”, është shprehur ai.
Edhe disa prej futbollistëve të Fenerbahçes kanë shprehur pakënaqësi për vendimet e gjyqtarëve pas ndeshjes. Kritikat ndaj gjykimit kanë qenë një temë e përsëritur në futbollin turk prej vitesh.
Ndërkohë, te Besiktasi, Milot Rashica nuk ishte pjesë e skuadrës për të dytën ndeshje radhazi, pasi nuk u grumbullua për derbin ndaj Fenerbahçes. /Telegrafi/





