Studimi i ri sugjeron se niveli i vitaminës B12 te nëna dhe babai para ngjizjes mund të ketë rëndësi për zhvillimin e fetusit
Një studim i ri i shkencëtarëve nga Fudan University në Kinë tregon se niveli i vitaminës B12 te të dy prindërit para ngjizjes mund të lidhet me rrezikun e anomalive të lindura te fëmija.
Vitamina B12, e cila gjendet në mish, shpendë, peshk dhe produkte të qumështit, ndihmon organizmin në prodhimin dhe ruajtjen e qelizave nervore të shëndetshme. Ajo luan gjithashtu rol të rëndësishëm në formimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe të ADN-së.
Mungesa e vitaminës B12 mund të lidhet me rrezik më të lartë të anomalive fetale

Studiuesit konstatuan se nivelet e vitaminës B12, si te gratë ashtu edhe te burrat para ngjizjes, lidhen me rrezik më të ulët të anomalive të lindura.
Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje nxjerrin në pah rëndësinë e ushqyerjes së të dy prindërve para ngjizjes dhe gjatë fazave të hershme të shtatzënisë.
Te nënat, rreziku i anomalive të lindura zvogëlohej gradualisht me rritjen e nivelit të vitaminës B12. Te baballarët, rreziku ulej me rritjen fillestare të B12, por më pas stabilizohej kur niveli arrinte vlera mesatarisht të larta.
Sipas studiuesve, kjo është një gjetje e rëndësishme, sepse studimet e mëparshme janë përqendruar kryesisht te nëna. Rezultatet e reja sugjerojnë se edhe niveli i ulët i vitaminës B12 te babai në kohën e ngjizjes mund të ketë lidhje me rrezikun e anomalive të lindura, transmeton Telegrafi.
Edhe folati ka rëndësi në shtatzëninë e hershme
Studimi, i botuar në revistën Annals of Internal Medicine, përfshiu më shumë se 3.000 çifte që dhanë mostra gjaku brenda katër muajve para ngjizjes, si dhe 17.765 gra të testuara deri në muajin e katërt të shtatzënisë.
Studiuesit matën nivelet e vitaminës B12 dhe vitaminës B9, përkatësisht folatit, dhe analizuan lidhjen e tyre me anomalitë e lindura te fëmijët e lindur gjallë, lindjet e vdekura dhe shtatzënitë e ndërprera për shkak të anomalive fetale.
Ata zbuluan se prevalenca e parashikuar e anomalive të lindura ra nga 49,6 në 16,2 raste për 1.000 shtatzëni kur krahasoheshin nënat me nivelet më të ulëta dhe ato me nivelet më të larta të vitaminës B12.
Një lidhje e ngjashme, por më e dobët, u vërejt edhe te baballarët.
Po ashtu, nënat me nivele adekuate të vitaminës B9 në qelizat e kuqe të gjakut gjatë shtatzënisë së hershme kishin prevalencë më të ulët të parashikuar të anomalive të lindura.
B12 mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e mëvonshëm të fëmijës
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se nivelet adekuate të vitaminës B12 gjatë shtatzënisë mund të lidhen edhe me zhvillim më të mirë të fëmijës më vonë.
Një rishikim sistematik i 22 studimeve të publikuara në vitin 2026 arriti në përfundimin se niveli adekuat i vitaminës B12 te nëna gjatë shtatzënisë lidhej në mënyrë të qëndrueshme me rezultate më të mira në zhvillimin e gjuhës, kujtesës dhe aftësive njohëse te fëmijët. /Telegrafi/





